Digjen dy banesa në Berat, flakët përfshijnë edhe një shtëpi monument kulture. Zjarri dyshohet i qëllimshëm

Aktualitet

Digjen dy banesa në Berat, flakët përfshijnë edhe një

Një zjarr ka përfshirë pasditen e sotme dy banesa në lagjen “Çlirim” të qytetit të Beratit.

Flakët kanë nisur fillimisht nga bahçet e dy banesave, të cilat rezultojnë të pabanuara, dhe më pas janë përhapur me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta dhe erës së ngrohtë.

Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë njoftuar shërbimin zjarrfikës, i cili ka mbërritur në vendngjarje me tre mjete. Në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar edhe forca të shumta policie.

Situata u bë më shqetësuese pasi flakët u afruan edhe pranë çatisë së një banese me status monument kulture. Ndërhyrja në kohë e zjarrfikësve bëri të mundur lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit, duke shmangur përhapjen e mëtejshme.

Pranë vendit të ngjarjes ndodhej edhe një automjet tip “Ford”, i cili pësoi dëmtime në pjesën e përparme, por fatmirësisht u largua në kohë nga zona.

Forcat zjarrfikëse vijojnë të qëndrojnë në terren për monitorimin e vatrave të nxehta dhe për të parandaluar një riaktivizim të mundshëm të flakëve.

Sipas burimeve nga vendngjarja, dyshohet se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave.

 

ME TE LEXUARAT