Digjet gjatë natës automjeti i gazetarit në Bulqizë, dyshohet e qëllimshme

Automjeti i gazetarit të Qarkut Dibër, Sami Curri është përfshirë nga flakët në orët e para të ditës së sotme.
Ngjarja ka ndodhur reta oras 02 e 45 minuta teksa automjeti ishte i parkuar pranë banesës në lagjen e Re të Bulqizës. Kanë qenë fqinjët ata të cilët kanë lajmëruar gazetarin Curri kur kanë konstatuar flakët në automjetin tip “Ford Fiesta”.
Ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës nuk ka mundur të shpëtojë asgjë, pasi automjeti është shkrumbuar i gjithi. Gazetari Sami Curri thotë se nuk ka dhe nuk ka patur asnjë konflikt personal, ndërsa gjithçka lidhet me punën e tij si gazetar, pasi puna e tij është fokusuar në investigime dhe mbulimin e çështjeve sensitive vendore në të gjithë Qarkun Dibër.
Policia ka nisur hetimet dhe pritet të zbardhë autorin apo autorët e mundshëm të ngjarjes së rëndë.
Ndërkohë ka patur edhe disa shoqërime ku janë nmarrë në pyetje persona të cilët mund të jenë ndikuar sëfundmi nga puna e gazetarit Sami Curri.