Aksident në Vlorë, autobusi me nxënës del nga rruga, shtylla anësore “e pret” duke shmangur pasojat

Një autobus ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar i anuar në krah, por fatmirësisht është mbajtur nga shtyllat anësore, duke shmangur një aksident më të rëndë. Sipas informacioneve të para, nuk ka qenë e mundur që mjeti të rikthehej menjëherë në rrugë për shkak të pozicionit të vështirë në të cilin ndodhej.
Autobusi transportonte një grup nxënësish, të cilët kishin mbërritur në zonë për të zhvilluar një vizitë në Zvernec. Ngjarja ka shkaktuar panik dhe frikë tek pasagjerët në momentin kur mjeti ka humbur drejtimin dhe ka dalë nga rruga.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa të gjithë nxënësit dhe personat e tjerë në bord janë në gjendje të mirë shëndetësore. Autoritetet përkatëse janë njoftuar dhe po punojnë për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit si dhe për të bërë të mundur largimin e autobusit nga vendi i ngjarjes.


