"Do e kthejmë përmbys këtë sallë"- Përplasje brenda bashkisë Durrës, qytetarja hyn në sallën e mbledhjes

Aktualitet

"Do e kthejmë përmbys këtë sallë"-

Banorë të lagjes numër 7 dhe 8, që preken nga shpronësimet që do të bëhen në kuadër të projektit infrastrukturor “Lidhja e Currilave me rrugën “Aleksandër Goga”, kanë protestuar sot para bashkisë së Durrësit.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak në orën 12:00, një nga pikat e rendit të ditës lidhet me shpronësimet e shtëpive të këtyre banorëve, të cilat do të shemben për t’i hapur rrugë ndërtimit të unazës.

Banorët janë përplasur para nisjes së mbledhjes me zyrtarët dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak duke mos kursyer as ofendimet, ndërsa i kanë kërkuar llogari për vendimin e tyre për shpronësimin e pronave.

Pas shumë debateve, një përfaqësuese e banorëve të Durrësit është lejuar për tu futur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në Durrës. Flutura Kasa, anëtare e PS-së ka debatuar me banoren duke i kërkuar që të mos flasë deri sa t’i vijë radha për shqyrtim pikës së 13-të.

Sakaq, anëtarët e PD-së kanë kërkuar lirimin e protestuesve të shoqëruar në polici.

“A do vazhdojmë me këtë logjikën tuaj, që njerëzit protestojnë me të drejtat e tyre dhe ju i çoni në polici? A ka mundësi të ndërhyni që ata çunat që i ka marrë policia të lirohen apo ta kthejmë përmbys këtë sallë?”, tha anëtari i PD Dritan Burgija.
Ata kanë braktisur sallën për t’iu bashkuar qytetarëve që po protestojnë kundër projektit TID.

ME TE LEXUARAT