Elbasan, qytetarja padit Bashkinë dhe kompaninë “ECO–ELB” për ndotjen e ajrit pas zjarrit në landfill

Aktualitet

Elbasan, qytetarja padit Bashkinë dhe kompaninë

Një qytetare nga Elbasani ka dorëzuar padinë e parë ligjore kundër kompanisë “ECO–ELB” dhe Bashkisë Elbasan, pas zjarrit të madh që përfshiu landfillin e qytetit dhe shkaktoi ndotje të rëndë të ajrit.

Ajo kërkon dëmshpërblim për përkeqësimin e gjendjes së saj shëndetësore, duke u bazuar në simptoma si vështirësi në frymëmarrje, djegie sysh dhe dhimbje koke, që u përhapën mes banorëve gjatë zjarrit.

Zjarri që nisi më 1 korrik 2025 çliroi re tymi të dendura me erë djegieje plastike dhe materiale organike, duke përfshirë zona të banuara për ditë me radhë. Kjo nuk është hera e parë që ndodhin zjarre në landfillin e Elbasanit, pasi ngjarje të ngjashme janë regjistruar edhe në vitet 2022 dhe 2023, ndërkohë që kompania “ECO–ELB” nuk ka marrë masa parandaluese, ndërsa Bashkia nuk ka përmbushur detyrimet ligjore për mbrojtjen e qytetarëve dhe mjedisit.

Matjet e organizatës COPLAN tregojnë se nivelet e ndotjes së ajrit gjatë zjarrit kanë qenë shumë mbi normat e BE-së, përfshirë substanca të rrezikshme si NO₂, CO₂, metan, VOCs dhe grimca PM2.5/PM10, me pasoja të rënda për shëndetin, sidomos për personat me sëmundje respiratore kronike.

Kjo padi përbën një hap të rëndësishëm drejt llogaridhënies institucionale dhe drejtësisë mjedisore, duke ngritur zërin e qytetarëve që kërkojnë të jetojnë në një ambient të pastër dhe të sigurt, përballë një problemi sistematik të ndotjes dhe mungesës së transparencës në menaxhimin e mbetjeve urbane në Elbasan.

ME TE LEXUARAT