EMRI/ Shkaktoi aksidentin me dy të vdekur, arrestohet 40-vjeçari në Tiranë
Policia e Tiranës ka arrestuar shtetasin Klajdi Ruçi, 40 vjeç, i dënuar me 7 vjet e 4 muaj burgim për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, pasi në vitin 2024 shkaktoi një aksident ku humbën jetën dy persona.
Arrestimi u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Unavoidable”, në zonën e Shkozës, nga shërbimet e Komisariatit Nr.1 në bashkëpunim me Komisariatin e Qarkullimit Rrugor.
“I dënuar me mbi 7 vjet burgim, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, lokalizohet, kapet dhe ndalohet 40-vjeçari.
Në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi të dënuar me burgim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Komisariatin e Qarkullimit Rrugor, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Unavoidable”.
Si rezultat i të cilit, në Shkozë, u bë e mundur, lokalizimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit Klajdi Ruçi, 40 vjeç.“, njofton policia.