Euro prek minimum historik! Po këmbehet me 95.5 lekë. Afrimi i sezonit pritet të shtojë ‘presionin’

Euro ka rënë në nivelin më të ulët historik të saj. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë këtë të hënë, një euro është këmbyer me mesatarisht 95.5 lekë, që është niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Në raport me vjet zhvlerësimi është rreth 3%, dhe sipas Bankës së Shqipërisë ky dobësim lidhet me fluksin e lartë të valutës në treg, ndikuar nga turizmi, remitancat apo investimet e huaja.
Forcimi i lekut ka dhënë efekte edhe pozitive edhe negative në ekonomi. Eksportuesit, familjet që mbahen nga remtiancat dhe ata që kanë të ardhura në euro janë më të dëmtuarit nga kjo rënie, ndërsa importuesit fitojnë pasi po shpenzojnë më pak para për të blerë mallra në euro nga jashtë.
Gjasat janë që zhvlerësimi i euros të mos ndalë, pasi me afrimin e sezonit turistik, pritet që presionet mbi kursin të vijojnë, duke mbajtur euron në nivele të ulëta historike edhe në muajt në vijim.
Për të mbajtur nën kontroll kursin euro-lekë, banka qendrore ka ndërhyrë vazhdimisht vjet duke blerë euro në treg, pikërisht për të zbutur rënien e saj, çka tregon se pa këto ndërhyrje, zhvlerësimi mund të ishte edhe më i thellë.
Në 2025-ën Banka e Shqipërisë bleu rreth 1 miliard euro me qëllim stabilizimin e monedhës evropiane dhe rritjen e rezervës valutore. Megjithëse shifra e blerjeve ishte në rekord historik, përsëri rezultuan të pasuksesshme për të stabilizuar kursin, pasi monedha evropiane vijoi të zhvlerësohet.


