A do të merren masa për Spiropalin? Balla: Do të ketë një raport në fund të sesionit

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi për mediat pas mbledhjes së grupit socialist se procesi i rienergjizimit të PS do t’i shërbejë objektivit që në zgjedhjet e ardhshme vendore, PS të fitojë në të 61 bashkitë.
I pyetur lidhur me qëndrimin që do të mbajë grupi i PS për deputeten Elisa Spiropali, e cila nuk mori pjesë në votimin për imunitetin e Ballukut, Balla tha se performanca e saj ashtu si edhe e çdo deputeti do të vlerësohet në fund të sesionit kur bëhet edhe një analizë për secilin.
“Kemi pasur debate për çështje të disa ligjeve me kolegë që kanë propozuar amendime në disa ligje të Kuvendit. Është normale që deputetë të PS në mbledhjen e grupit të kenë propozime dhe kritika.
Një koleg me shumë eksperiencë ngriti disa probleme që qëndronin dhe kjo është demokracia brenda PS. Këto në korridore apo në rrjete sociale nuk i ndjek…Jua kam thënë, ne kemi një rregull që në çdo fund sesioni bëjmë një analizë të punës së çdo deputeti. Kur të vijë ai moment, do jua them. Janë rregulla në çdo grup parlamentar. Nuk ka shprehur kritika Spiropali. Kodi i Procedurës Penale do të shqyrtohet në kohën e duhur”, tha Balla.


