Gerond Meçe investime dhe transaksione miliona euro me prestanomet e Daniel Shimës! Zbulohet skema

Raporti mes Gerond Meçes dhe Daniel Shimës bëhet edhe më evident nëse i referohemi raporteve financiare mes subjekteve ABS dhe “Alu Glass”. Më 4 maj 2022, kompania e xhamave “Alu Glass” faturon me plot 15,3 milionë lekë ose rreth 160 mijë euro kompaninë e Meçes. Nuk dihet se çfarë shërbimi mund t’i ketë ofruar ky subjekt, që tregton fasada xhamash, një kompanie që operon në fushën e IT-së…
“Në qoftë se ne shikojmë që janë të njëjtat firma që shpallen fituese, janë të njëjtat firma që ankimojnë prokurime karshi firmave të tjera, kjo nënkupton një qëllim zvarritjeje që të mos shkojë prokurimi jashtë këtyre 2, 3 apo 4 firmave, të cilat e kanë kthyer në një rutinë të zakonshme. Po të hapim faqen e Agjencisë së Prokurimeve Publike, do të shohim sot që një firmë në fushën e IT-së ka lidhur një kontratë 2 ose 3 milionë euro. Pas një jave shikojmë të njëjtën firmë që ka ankimuar një fituese tjetër, pas një jave tjetër shohim firmën që është ankimuar që shpallet fituese e një prokurimi të ngjashëm. Pra, ky kthehet në një rreth vicioz që të mos e lësh prokurimin të shkojë jashtë firmës së destinuar dhe në këtë moment, nëse e njëjta firmë herë shpallet fituese, herë shpallet ankimuese, herë shpallet tërheqëse, kjo nënkupton që aty diçka ka”, u shpreh avokati Ermal Hamataj.
“Pikërisht kjo është një nga ato problemet që ngrejnë pikëpyetje të mëdha. Zakonisht, veçanërisht për shërbime të specializuara siç është IT-ja, ti duhet të kesh edhe stafin e kualifikuar, por edhe numrin e duhur. Por kur ti ke jo vetëm numër të reduktuar stafi, por edhe kualifikimet nuk përkojnë me shërbimet teknologjike që ti jep, atëherë kjo bën të mendosh, të ngresh një dyshim të arsyeshëm që kemi të bëjmë thjesht me një dhënie fiktive shërbimi sesa me dhënien e një produkti sipas rregullave të tregut”, u shpreh Ergis Sefa, ekspert ekonomie.
Raporti mes ABS dhe ‘Alu Glass’, që kontrollohet nga Sokol Parllaku, njeriu i Daniel Shimës, bëhet më evident nëse hulumtojmë përtej kufijve. Inside Story ka mësuar se kompania e lidhur me Shimën po ndërton dy kulla në Prishtinë në bashkëpunim me kompaninë ‘ABS Kosova’ të Gerond Meçes dhe subjektin tjetër AESS, të kontrolluar nga shtetasja shqiptare me pasaportë gjermane Migena Shrëder. Këtu merr kuptim edhe roli i zonjës në fjalë në lojën e tenderave në AKSHI, e cila ka dhënë dëshmi në SPAK duke goditur grupin rival të Gerond Meçes.
Nëse analizon kompaninë ‘AESS’ të Migena Shrëder, rezulton se në periudhën 2018-2023 subjekti ka ndërruar plot 9 herë pronësinë mes saj dhe babait. Në të gjitha rastet, kalimet bëheshin përmes dhurimit. Lëvizjet përkojnë pikërisht me kohën kur subjekti në fjalë shfaqet në tenderat e AKSHI-t në grupin e influencës të lidhur me Gerond Meçen dhe Daniel Shimën. Dy emra që, siç zbuluam më sipër, kanë qenë bashkë në lojë.
“Në rast se ne shikojmë një person juridik i cili është krijuar para një muaji dhe futet në Agjencinë e Prokurimeve dhe fiton një kontratë me miliona euro, dyshimi lind: si ka mundësi që kjo firmë, me një person ndoshta të panjohur në administrimin e saj, pa pasuri aktuale dhe pa pasur kontrata të ngjashme, fillon dhe merr një punë kaq të madhe dy muaj pas krijimit të saj. Në 50% të mundësive, administratori që figuron në këtë shoqëri nuk është përfituesi real i atyre të ardhurave”, u shpreh Ermal Hamataj, avokat.
“Në rastin e AKSHI-t duhet parë nëse kemi të bëjmë me persona të cilët vërtet janë pronarë apo janë prestanome, por barrën e provës mbi të gjitha e ka prokuroria, nuk e kanë këta persona të cilët supozohet që kanë vetëm emrin aty dhe pronarët janë realë”, u shpreh avokati.


