Gjykata Administrative shqyrton nesër padinë për emërimin e Ols Dados, pritet edhe Veliaj në seancë

Aktualitet

Gjykata Administrative shqyrton nesër padinë për emërimin e

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë do të shqyrtojë ditën e nesërme kërkesëpadinë për konstatimin e pavlefshmërisë së emërimit të Ols Dados në detyrën e prokurorit. Në seancë është konfirmuar edhe prania e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Padia lidhet me Dekretin e Presidentit nr. 5936, datë 17.11.2008, përmes të cilit është bërë emërimi i Dados si prokuror i Republikës së Shqipërisë. Në kërkesëpadi pretendohet se ky emërim është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin nr. 8737/2001, pasi subjekti nuk plotësonte kriteret e përcaktuara për ushtrimin e këtij funksioni.

Sipas padisë, akti është nul ab initio, pra i pavlefshëm që në momentin e miratimit dhe pa asnjë efekt juridik. Çështja ngre një debat thelbësor mbi ligjshmërinë e ushtrimit të funksioneve publike dhe vlefshmërinë e vendimeve të marra nga një zyrtar i emëruar në kundërshtim me ligjin.

Në argumentim theksohet se ushtrimi i pushtetit penal nga një subjekt që nuk plotëson kushtet ligjore cenon drejtpërdrejt parimet e shtetit të së drejtës dhe sigurinë juridike të qytetarëve.

Padia ngre gjithashtu shqetësimin se çdo veprim i ndërmarrë nga një zyrtar i emëruar në mënyrë të paligjshme mund të jetë i ekspozuar ndaj pavlefshmërisë, duke përfshirë edhe vendime me pasoja mbi lirinë personale dhe funksionimin e institucioneve publike.

Gjykata pritet të shqyrtojë çështjen në një seancë që konsiderohet me rëndësi, pasi prek standardet kushtetuese të ushtrimit të funksionit të prokurorit dhe parimin e barazisë para ligjit.

 

ME TE LEXUARAT