I riu kapet me 2 kallashnikovë në tunelin e Murrizit, dyshohet se do t’i shiste tek grupet kriminale
Një 22-vjeçar nga Burreli u kap në flagrancë duke transportuar dy armë zjarri automatike të llojit kallashnikov. I riu, i identifikuar si A. D., u ndalua në tunelin e Murrizit, ndërsa udhëtonte me automjetin e tij drejt Tiranës.
Gjatë kontrollit të mjetit, efektivët gjetën të fshehura në bagazh dy kallashnikovë dhe katër krehra për to. Sipas të dhënave të para hetimore, dyshohet se armët po transportoheshin për t’u shitur në kryeqytet, për llogari të grupeve kriminale.
Njoftimi:
Tiranë/ Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Tuneli”.
U kap në flagrancë duke transportuar 2 armë zjarri kallashnikov, nga Burreli në Tiranë, për t’i shitur për llogari të grupeve kriminale, vihet në pranga një 22-vjeçari.
Sekuestrohen 2 armët e zjarrit, 4 krehra për to, automjeti dhe celulari i 22-vjeçarit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë siguruar informacion se një shtetas qarkullonte me armë zjarri në automjet. Si rezultat i administrimit të shpejtë të këtij informacioni është organizuar dhe finalizuar operacioni i koduar “Tuneli”, gjatë të cilit u arrestua shtetasi:
A. D., 22 vjeç, banues në Burrel.
Gjatë operacionit, në tunelin e Murrizit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin që drejtonte 22-vjeçari, në të cilin, gjatë kontrollit, gjetën të fshehura në bagazh, 2 armë zjarri kallashnikov dhe 4 krehra për to.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas po i transportonte armët në Tiranë, për t’i shitur për llogari të grupeve kriminale. Vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procdurale i kaluan Prokurorisë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.