“Ishte tmerr i vërtetë”/ Truproja i Nanos: Isha në listën e zezë të Berishës, donin të më vrisnin mua dhe 30 eksponentë

Aktualitet

“Ishte tmerr i vërtetë”/ Truproja i Nanos: Isha në

Ish-truproja i Fatos Nanos, Viktor Agolli, ka rrëfyer episode nga dhuna e ushtruar gjatë zgjedhjeve të 26 majit 1996, por edhe pas tyre.

Agolli e përshkroi situatën në protestën e opozitës socialiste në 28 maj 1998 (2 ditë pas zgjedhjeve të manipuluara) si një tmerr të vërtetë, ku u rrahën burra dhe gra nga Policia e Sali Berishës.

Gjatë rrëfimit të tij, Agolli tregoi se mes efektivëve të Policisë, kishte edhe prej tyre që flisnin gjuhë sllave, të cilët ishin kamufluar me uniforma të ‘Bluve’.

Sipas Agollit, gjatë protestës nuk u përdorën vetëm shkopa gome, por edhe shkopinj druri apo bishta lopate.

Dhunës së ashpër sipas Agollit, nuk i shpëtuan as deputetë, si Ritvan Peshkopia dhe Blendi Gonxhe, që sipas tij janë tërhequr zvarrë në mes të sheshit.

“Ishte tmerr i vërtetë. Në datën 28 ishte tmerr i vërtetë. Janë rrahur deputetë. Janë rrahur edhe deputetët e PD-së, që kishin kaluar te Neritan Ceka. Si Ritvan Peshkopia dhe Blendi Gonxhe. Janë tërhequr zvarrë që e kam parë me sytë e mi.

Më bënte përshtypje, nga uniformat me kamuflazh të efektivëve, kishte shumë njerëz që flisnin gjuhë sllave. Ata ishin më të tmerrshmit. Me hunj, me bishta lopate rrihnin gra edhe burra. Të gjithë ata që janë me gjak, edhe Servet Pëllumbi, edhe ai tjetri që ishte me gjak, ishte gazetar spanjoll”, tha mes të tjerash Agolli.

Agolli tha se urdhërat për dhunimin e protestuesve jepeshin nga Presidenti i Kohës, Sali Berisha.

“Nuk ka ngelur deputet, gra e motrat tona pa u rrahur. Unë kam qenë në shesh, në sheshin Skënderbej. Ai ka qenë ministri i Brendshëm i PD-së, por unë e kam në vesh edhe më pas ja kam thënë, që merrte urdhëra nga 01, i cili ishte atëherë Presidenti i Republikës.

Pra urdhëri i Sali Berishës ishte vetëm dhunë e dajak mbi demonstruesit. Që atëherë pastaj Agron Musaraj dhe Aleksandër Meksi nuk bënë më pazare me Berishën, u tërhoqën nga politika”, vijoi më tej Agolli.

Në përfundim Agolli tha se ai vetë, por edhe 30 eksponentë të lartë të Partisë Socialiste ishin në listën e zezë të SHIK-ut të kohës për t’u ekzekutuar.

Duke e krahasuar Berishën me Enver Hoxhën, Agolli ironizoi kryedemokratin, duke cituar deklaratën e tij se ‘do të bëhej kryeministër 95-vjeç’.

“Kur një popull demonstronte për vjedhjen e votës… Tani doli Skrapari 110 %. E imagjinoni dot ju tani? As në kohën e Enver Hoxhës nuk ishte bërë ashtu. Ka qenë masakra më e tmerrshme.

Ne ishim 30 vetë, duke kapur gjithë udhëheqjen e PS-së, ishim në listën e zezë të SHIK. Vite të tmerrshme. Po i njëjti njeri që ka bërë gjithë atë dhunë, kërkon të bëhet si ai 95-vjeçari pa emër që ishte bërë kryeministër”, përfundoi Agolli.

ME TE LEXUARAT