Suel Çelës i sekuestrohen 4 milionë euro pasuri në Verona

Aktualitet

Suel Çelës i sekuestrohen 4 milionë euro pasuri në Verona

Prokuroria e Veronës, në bashkëpunim me SPAK, ka goditur organizatën kriminale të Suel Çelës, e cila vepronte në Verona të Italisë dhe ishte përgjegjëse për transportin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në tregun europian.

Hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit, Guardia di Finanza seksioni i hetuesve financiarë të Veronës, çuan në sekuestrimin preventiv të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, burimeve financiare dhe aksioneve të pasurisë të një shoqërie tregtare, të cilat kalonin vlerën e 4 milionë eurove.

Sekuestrimi u ekzekutua sot më 3 korrik pas vendimit të Gjykatës së Veronës, si masë preventive, në kuadër të vijueshmërisë së hetimeve.

Pasuritë e sekuestruara janë:

Një ndërtesë, pasuri e paluajtshme në Nogarole Rocca (Verona)

Një ndërtesë, në vlerë rreth 3 milionë euro, e përbërë nga 30 njësi (zyra dhe dyqane) (Verona)

Një llogari bankare ku depozitoheshin qiratë e zyrave dhe dyqaneve (rreth 400 mijë euro në vit)

Një shoqëri tregtare që operonte në fushën e ndërtimit, me kuota 100% në Itali.

Çfarë zbuluan hetimet

Hetimet konstatuan se këto pasuri janë krijuar dhe financuar me përfitimet nga trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut në tregjet europiane. Vëmendja u përqëndrua tek një shoqëri e pasurive të paluajtshme në Itali, të cilës i dërgoheshin shifra të mëdha parash, përmes sistemit bankar.

Ka rezultuar se paratë vinin nga Shqipëria, pasi organizata kriminale i transferonte të ardhurat nga një shoqëri tregtare në Shqipëri, në pronësi të dy vëllëzerve shqiptarë, Suel dhe Mario Çela, dhe këto shuma investoheshin në Itali në ndërtim, rikonstruksionin e ndërtesave, të cilat, më pas jepeshin me qira.

Suel Çela është shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa Mario Çela ndodhet në një burg në Belgjikë.

Mario Çela u arrestua në Verona, në qershor të vitit 2024, pas ekzekutimit të një urdhër-arresti, të lëshuar nga autoritetet belge, mbi dyshimet për përfshirje në një vrasje mafioze në Antwerp, si pasojë e konflikteve mes grupeve rivale të trafikut të drogës. Për këtë të fundit ka gjithashtu një vendim të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, pas hetimeve të kryera nga SPAK, për veprat penale: “Vrasje me paramendim”, “Mbajtje dhe prodhim pa leje të armëve”, “Trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.

Po ashtu u konstatua se përdorimi i burimeve të mëdha financiare që derdheshin nga Shqipëria në ekonominë italiane, përfaqësonte edhe hallkën përfundimtare të pastrimit të parave, të kryera nga jashtë vendit përmes një shoqërie tregtare në Shqipëri, në pronësi të organizatës kriminale.

Në Shqipëri, janë kryer transaksione të dyshimta të pasurive të paluajtshme, me qëllim pengimin e gjurmueshmërisë së origjinës së paligjshme të parave dhe në këtë mënyrë organizata përfitonte shërbime të “pastruara”, me fitimin e përftuar nga transaksionet e dyshuara, të cilat mund të ripërdoreshin në investime në prona të paluajtshme, në territorin italian.

Gjithashtu janë sekuestruar pasuritë e paluajtshme dhe burimet financiare që i përkasin administratorit të një shoqërie të pasurive të paluajtshme në Verona, në pronësi të një çifti shqiptarësh, të përfshirë në të kaluarën në trafikun e lëndëve narkotike. Ata konsideroheshin si njerëzit e besuar të dy vëllezërve dhe rezultuan të figuronin në listën e pagesave të organizatës kriminale.

Kontrolle janë kryer edhe ndaj subjekteve kryesore dhe ndihmësve të tyre italianë, me qëllim gjetjen e provave të mëtejshme.

Procedimi penal ndodhet në fazën e hetimeve paraprake.

 

ME TE LEXUARAT