Kapiteni Arben Anamali përcillet me nderime: Heroi që dha jetën për të shpëtuar të tjerët
Në Shkodër, dhimbja dhe nderimi u bashkuan këtë të premte në ceremoninë mortore për kapitenin Arben Anamali, i cili humbi jetën tragjikisht më 8 korrik në ujërat e Liqenit të Shkodrës, ndërsa përpiqej të shpëtonte dy turistë të huaj nga mbytja.
Kapiteni 52-vjeçar, njohës i mirë i liqenit dhe notar i stërvitur, u hodh në ujë pa hezitim për të shpëtuar jetë. Dyshohet se ai pësoi arrest kardiak si pasojë e stresit dhe lodhjes ekstreme. Pas dy ditësh kërkimesh intensive, trupi i tij u gjet të enjten nga polumbarët dhe u transportua në morgun e spitalit rajonal të Shkodrës për ekspertizë mjeko-ligjore.
Në ceremoninë mortore, familjarë, miq, kolegë dhe qytetarë i dhanë lamtumirën e fundit mes lotëve dhe duartrokitjeve. Bashkëshortja e tij, Najada Anamali, foli me dhimbje për momentin kur mori lajmin tragjik:
“Është një dhimbje e madhe për të gjithë familjen tonë, për nanën, mua, për fëmijët. Për të gjithë që e kanë njohur, sepse ka qenë një njeri shumë i mirë dhe i përkushtuar. Dha jetën për të shpëtuar të tjerët. Më mori një kolege e tij dhe më tha që kishte ndodhur një aksident. Mendova se ishte një dëmtim i lehtë, nuk ma priste mendja kurrë se ishte mbytur, sepse ishte shumë i fortë fizikisht dhe notar i zoti.”
Arben Anamali la pas bashkëshorten dhe dy fëmijët. Ai vinte nga një familje shkodrane me traditë në lundrim – edhe i ati kishte qenë mjeshtër i mjeteve ujore. Jeta dhe vdekja e tij janë një dëshmi e guximit të pastër njerëzor. Ai u përcoll për në banesën e fundit si një hero i heshtur, që dha gjithçka për të shpëtuar të tjerët.