Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton ndihmën për transportin publik/ 50 lekë për litër karburant për 3 muaj

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar një projektvendim për kompensimin e shoqërive të transportit publik në kuadër të paketës Anti-Krizë, me qëllim lehtësimin e sektorit të prekur nga rritja e çmimeve të karburanteve si pasojë e krizës globale energjetike.
Vendimi është marrë pas kërkesës zyrtare të ministrisë përkatëse dhe propozimit të kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, duke synuar mbështetjen e operatorëve të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, të cilët po përballen me rritje të ndjeshme të kostove operative.
Sipas projektvendimit, shoqëritë e transportit do të përfitojnë kompensim në masën 50 lekë për litër karburanti për një periudhë tre mujore, për muajt mars, prill dhe maj 2026. Ky kompensim do të llogaritet mbi bazën e konsumit të raportuar gjatë kësaj periudhe, por nuk do të tejkalojë sasinë e konsumuar në të njëjtën periudhë të vitit 2025 për secilin operator.
Në relacionin shoqërues theksohet se rritja e çmimeve të naftës dhe gazit ka arritur nivele rekord, duke ndikuar drejtpërdrejt në sektorin e transportit, i cili përbën pjesën më të madhe të lëvizjes së pasagjerëve në vend. Kjo situatë ka rritur kostot për operatorët dhe ka krijuar presion të shtuar edhe për qytetarët si përdorues të shërbimit.
Dokumenti evidenton gjithashtu se në Shqipëri operojnë 439 linja transporti ndërqytetës me 242 subjekte të licencuara, ndërsa çdo muaj përshkohen rreth 9 milion kilometra nga autobusët dhe rreth 50 milion udhëtime realizohen në vit.
Efekti financiar i kësaj mase vlerësohet rreth 250 milion lekë dhe do të mbulohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, si dhe nga buxheti i Bashkisë së Tiranës për linjat urbane të kryeqytetit.
Projektvendimi përcakton gjithashtu kriteret dhe procedurat që duhet të ndjekin operatorët për të përfituar kompensimin, ndërsa kërkesat do të pranohen deri më 1 gusht 2026 dhe do të verifikohen nga administrata tatimore përkatëse.
Me këtë vendim, autoritetet vendore synojnë të stabilizojnë sektorin e transportit publik dhe të shmangin rritje të mëtejshme të tarifave për qytetarët, në një periudhë të vështirë ekonomike.


