“Kilometri i fundit”/ Opozita zbret në shesh, nis protesta e katërt kombëtare para kryeministrisë

Ka nisur protesta e Partisë Demokratike dhe aleatëve para kryeministrisë.
Kjo është protesta e katërt kombëtare që zhvillon opozita pas asaj që u mbajt në datën 22 dhjetor, 2025, 24 janar 2026 dhe 12 shkurt 2026.
Në protestat e kaluara, PD ka kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku si dhe krijimin e një qeverie teknike që do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Edhe këtë herë, partitë e reja; Arlind Qori, Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj nuk i janë bashkuar kësaj lëvizjeje të PD-së.
Partia Demokratike vendosi protestat në qendër të aksionit të saj politik pas publikimit të hetimeve të SPAK-ut për tenderat në infrastrukturë dhe rolin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, si dhe tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Sipas kryetarit të PD-së, Berisha, vendimi i kryeministrit Edi Rama për të goditur SPAK-un në Gjykatën Kushtetuese për masën e sigurisë ndaj Belinda Ballukut dhe vendimi i tij për të mos i dhënë Prokurorisë së Posaçme imunitetin e numrit 2 të qeverisë, tregojnë se Edi Rama nuk do ta lejojë drejtësinë të godasë korrupsionin dhe se rruga e vetme për opozitën mbeten protestat.
Vetë Berisha nuk e ka fshehur se preferon një lëvizje të qëndrueshme me protesta çdo ditë para godinës së qeverisë për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Megjithatë, mbetet për t’u parë se si do ta ndërtojë Partia Demokratike betejën e saj kundër Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, që sapo kanë nisur mandatin e katërt.


