Kufizohen hapësirat e hyrje-daljeve në portin e Durrësit, pritet ngadalësim i qarkullimit pas mbylljes së 3 korsive

Që nga dita e sotme, hapësirat e hyrje-daljeve në portin më të madh të vendit do të kufizohen, duke ndikuar në flukset e mjeteve dhe të mallrave në Porti i Durrësit.
Autoriteti Portual Durrës ka njoftuar nisjen e ndërhyrjeve në portën nr. 4, te Ura e Dajlanit, në kuadër të projektit “Marina dhe Jahtet e Durrësit”.
Se si pasojë e punimeve, në këtë hyrje-dalje do të jenë në funksion vetëm 3 nga 6 korsitë ekzistuese, gjë që pritet të sjellë ngadalësim të përkohshëm të qarkullimit.
Ndërkohë, hyrja nr. 2 vijon të mbetet funksionale dhe do të shërbejë për përballimin e lëvizjes së automjeteve të vogla, me qëllim lehtësimin e situatës.
Sipas APD-se, ndërhyrjet përfshijnë testimin dhe rikonceptimin e portës ekzistuese në funksion të punimeve, si dhe zhvendosjen e saj në një pozicion të ri, në kuadër të fazës së parë të zhvillimit infrastrukturor të projektit.
Punimet nisin në një kohë kur projekti për portin e ri në Porto Romano ende nuk ka përparuar, pasi tenderi me vlerë rreth 400 milionë euro është anuluar zyrtarisht për mungesë ofertash ekonomike.
Pavarësisht kësaj, puna për projektin “Durrës Marina” në territorin e portit detar aktual vijon. Kjo pritet të sjellë edhe ndikime në funksionimin e përditshëm të portit në vazhdim.


