“Lajmi i zi nuk njeh skonto”/ Preç Zogaj tregon njohjen dhe miqësinë me publicistin që u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare

Studiuesi Preç Zogaj ka treguar se si është njohur me gazetarin dhe publicistin Namir Lapardhaja, i cili u nda nga jeta ditën e sotme në moshën 40-vjeçare.
Zogaj rrëfen se e takoi për herë të parë në Panairin e Librit, kur ai ishte student, dhe më pas vazhduan miqësinë e tyre ndër vite, të lidhur nga vizionet e ngjashme politike dhe kulturore. Ai shtoi se ndarja e tij nga jeta në kulmin e energjive krijuese e privon kulturën tonë nga një mendje e hapur dhe nga një penë brilante, e cila, sipas Zogajt, do të kishte dhënë shumë për pasurimin e saj.
“E pabesueshme, por lajmi i zi nuk njeh skonto. Miku im shumë dashur, Namir Lapardhaja, ka mbyllur sytë sot në kulmin e moshës. E kam takuar për herë të parë në Panairin e Librit kur ishte student dhe po përzgjdhte nepër stenda libra poetikë. Takimet tona vijuan sa herë vinte në Tiranë, pasi filloi punën si mësues në Berat. Ai u bë në sytë e mi shëmbëlltyra e Leximtarit, një titull që Borhes ia njihte vetes si një kurorë me të lartë se ajo si autor.
Më vonë na ra shorti të shtërngonim një miqësi të veçantë, si publicistë të lidhur nga vizione të ngjashme për politikën, kulturën, jetën në përgjithësi. Libri mbeti gjithnjë nyja jonë e artë e miqësisë.
Lexonte si pakush, ishte një hipotekë lëvizese e titujve dhe bukurive letrare, një eseist dhe autor i shquar shkrimesh letrare të llojit book review, botuar në përmbledhjen ‘Një urë fjalësh mes nesh dhe tjetrit’, botuar nga UET PRESS në vitin 2023, për të vijuar deri ditën e pardjeshme me shkrime të tilla javore në gazetën ‘Tema’.
Është në naturën e njeriut t’i kërkojë tek më të mëdhenjtë në moshë modelet e virtyteve dhe mirësisë. Por ndodh t’i gjejë edhe tek njerëz më të vegël në moshë. Një i tillë ishte për mua Namir Lapardhaja.
Ndarje e tij nga jeta në kulmin e energjive krijuese e privon kulturën tonë nga një mendje e hapur dhe penë brilante që do të kishte dhënë shumë për pasurimin e saj. Do ta kujtojmë gjithmonë si shembull i intelektualit ekzigjent me integritet të lartë. Pushofsh në paqe, Namir! Ngushëllimet me të thella familjes”, ka shkruar Zogaj./Shqip


