Vrau me çekiç fqinjin, Gjykata e Apelit dënon me burgim të përjetshëm Isuf Hasën

Gjykata e Apelit ka dënuar me burgim të përjetshëm Isuf Hasën, i shpallur fajtor për vrasjen e fqinjit të tij, Xhemal Meta 81 vjeç, ngjarja e ndodhur më 13 janar 2025 në fshatin Shëngjin i Vogël në Tiranë.
Hasa akuzohet se ka vrarë me çekiç fqinjin e tij, Xhemal Meta. Ngjarja është cilësuar nga drejtësia si “vjedhje me pasojë vdekjen”.
Dy ditë pas krimit, para oficerëve gjyqësore autori ka shpjeguar gjithë dinamikën dhe motivin pse e kreu krimin.
Autori ka treguar se kishte shkuar në shtëpinë e Xhemal Metës, kishin pirë kafe dhe aty kishin debatuar. Sipas pretendimeve të Hasës, viktima përveçse e bullizonte dhe ofendonte, gjithashtu i kishte ngacmuar edhe gruan.
“Më 13 janar shkova në mëngjes në shtëpinë e Xhemalit dhe konsumuam kafe. Pasi mbaruam, do të shkonim në lokalin e fshatit. Në oborrin e shtëpisë së tij pashë çekiçin dhe e mora e qëllova nga pas. E qëllova pasi kishte shumë kohë që më ofendonte. Kisha kuptuar që më ngacmonte gruan. Unë punoj roje nate në Dajt dhe kishte raste nuk shkoja disa netë në shtëpi. Xhemali më merrte në telefon dhe më thoshte që si nuk na dhe një herë nga rakia e gruas tënde. Kisha kohë që nuk po e duroja dot. Pasi e vrava i mora lekët. E dija që kishte lekë sepse m’i kishte treguar po ai vetë. Më pas kam shkuar tek stacioni elektrik dhe deri në Tiranë kam zbritur me një makinë të tyre. Më pas shkova tek shtëpia e vajzës në Vorë ku fsheha çekiçin”, tregoi 64-vjeçari Hasa.


