Mësuesja në Kamëz që dhunon të miturit pushohet nga puna, Kumbaro: Sjellje e papranueshme!

Aktualitet

Mësuesja në Kamëz që dhunon të miturit pushohet nga

Mine Hasani nuk është më mësuese në shkollën 9-vjeçare “100-vjetori i Pavarësisë”. Vendimi për pezullimin e saj erdhi  menjëherë pas publikimit të pamjeve në emisionin “Stop” në Televizionin Klan, ku ajo shfaqej duke ushtruar dhunë fizike dhe verbale ndaj nxënësve të ciklit fillor.

Pamjet shokuese të transmetuara në media tregojnë se si mësuesja godet fizikisht fëmijët 9-vjeçarë dhe përdor një fjalor me terma degradues dhe kërcënues. Shprehjet që ajo  përdor rregullisht ndaj nxënësve variojnë nga “idiotë”, “kafshë”, te “zhulsa” e “kokë palarë”.


Pas pamjeve, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Tiranë njoftoi ngritjen e një grupi pune për të ndjekur situatën dhe për të takuar drejtuesit e shkollës, psikologët dhe prindërit e fëmijëve të përfshirë. Me vendim të datës 25 shkurt 2026, marrëdhëniet e punës me mësuesen  u ndërprenë menjëherë

Për rastin reagoi edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, me një mesazh publik.

“Një mesazh për të gjithë prindërit dhe mësuesit, mbi rastin flagrant të dhunës së ushtruar nga një person që mbante xhaketën e mësuesit, si një sjellje e papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me vlerat e arsimit. Nga sot, personi nuk është më pjesë e trupës së mësuesve, ndërsa grupi i punës i ngritur për këtë çështje po vijon dokumentimin e plotë të përgjegjësive. Asnjë ngjarje e tillë nuk mund dhe nuk duhet të cenojë punën me përkushtim, me profesionalizëm dhe me pasion të mijëra mësuesve në të gjithë Shqipërinë, të cilët çdo ditë janë modeli më i mirë për fëmijët tanë. Respekt dhe mbështetje për ta”, shkroi ajo në Facebook.


Ky skandal ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi sigurinë e fëmijëve në mjediset shkollore dhe integritetin e figurës së mësuesit.

ME TE LEXUARAT