'Çmontohet' ambienti me lojëra fati në Kombinat/ Në pranga administratori i lokalit dhe punonjësi i tij

Policia në Tiranë ka vijuar operacionin e koduar “Fati i lojërave” në zonën e Kombinatit, ku është zbuluar një tjetër lokal që përdorej për organizimin e lojërave të fatit në mënyrë të paligjshme.
Sipas të dhënave, në ambientin e lokalit bastet sportive zhvilloheshin përmes kompjuterëve dhe celularëve.
Gjatë kontrollit janë arrestuar dy persona, administratori i lokalit dhe një punonjës i tij, përkatësisht 28 dhe 30 vjeç.
Policia ka sekuestruar pajisjet që përdoreshin për këtë aktivitet, përfshirë celularë dhe kompjuterë. Hetimet po vijojnë për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë dhe mënyrën e organizimit të skemës.
NJOFTIMI I POLICISË:
Kombinat, Tiranë/Vijon operacioni policor i koduar “Fati i lojërave”.
Zbulohet një tjetër lokal në Kombinat, ku organizoheshin lojëra fati, në kundërshtim me ligjin, përmes kompjuterëve dhe celularëve.
Arrestohen 2 shtetas, administratori dhe punonjësi i lokalit.
Sekuestrohen celularë dhe kompjuterë që përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në vijim të kontrolleve të ushtruara në lokale, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave”, evidentuan dhe goditën një tjetër rast të përshtatjes së ambienteve për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, përmes kompjuterëve dhe celularëve.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestuan në flagrancë shtetasit E. P., 28 vjeç dhe F. Gj., 30 vjeç, pasi në zonën e Kombinatit, në lokalin që administrohej nga 28-vjeçari, dhe ku ishte i punësuar shtetasi F. Gj., ishte përshtatur ambienti për vendosjen e basteve sportive në mënyrë të kundërligjshme.
U sekuestruan, në cilësinë e provës materiale,celularë dhe kompjuterë që shërbenin për këtë veprimtari të kundërligjshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


