Ndiq paratë”! Staf i përbashkët, transaksione e tendera , si u bashkua Migena me dyshen Meçe-Shima në lojën e AKSHI-t

Pas skandalit me tenderin e parë me vlerë 17 milionë euro, që u vendos nën hetim, tashmë biznesmeni Gerond Meçe qëndroi në prapaskenë. Por futi në lojë njeriun e tij, Elision Jorgjis, me kompaninë Albascan.
Lidhja e fortë mes tyre del qartë në transaksione. Albascan ka kaluar në llogaritë e ABS deri në vitin 2025 plot 11,1 milionë euro, ndërsa në kahun e kundërt kanë shkuar rreth 3,1 milionë euro.
Në tenderin e dytë për laboratorët SMART, loja e dirigjuar nga Daniel Shima dhe Gerond Meçe del qartë edhe nga dëshmia e dhënë në SPAK nga ish-drejtuesi i njësisë së prokurimit në AKSHI.
“I pyetur për procedurën e prokurimit ‘Implementimi i laboratorëve SMART’, z. Suli tregon se ka qenë kryetar i njësisë së prokurimit dhe se fituese ka qenë paracaktuar, konkretisht shoqëria Albascan, duke treguar se paracaktimi ishte bërë nga Gerond Meçe dhe Daniel Shima”.
Dhe nuk mund kurrsesi që firmat që dalin nga hiçi ose personat juridikë që dalin nga hiçi të marrin kontrata kaq të mëdha, sepse këtu është dyshimi i parë; nëse këto kontrata të mëdha i shkojnë një personi që ka 10 vite eksperiencë dhe mund të ketë miliona euro të lidhura në kontrata publike, këtu ndoshta dyshimi është më i vogël”, u shpreh avokati Ermal Hamataj.
Afrimiteti dhe lidhja e fortë mes Daniel Shimës, Gerond Meçes dhe Migena Shrëder del edhe nga dëshmia e kësaj të fundit. Teksa ka shprehur rezerva për aksionerin e kompanisë ALBASCAN, ajo përmend pikërisht emrin e Daniel Shimës si pikën lidhëse me Elision Jorgjisin.
“Kur i kam shkuar në zyrë shtetases Mirlinda Karçanaj dhe i kam thënë thjesht që shtetasi Elison Jorgji më kishte ardhur me disa idiotësira si kërkesa dhe se mua nuk më pëlqente si njeri, ajo më tha se edhe ajo nuk ishte e sigurt për të sepse sipas saj, atë e kishte futur në lojë shtetasi Daniel Shima”, shton avokati Ermal Hamataj.
Në rast se do të përgjigjem si avokat, mua më lindin dyshime se ndoshta personi në fjalë mund të jetë një bashkëpunëtor i organit të akuzës. Për aq kohë sa ndaj tij rëndojnë të njëjtat akuza si personat e tjerë dhe karshi personave të tjerë ka masa sigurimi dhe ndaj tij jo, më bën të mendoj se si mund të jetë bashkëpunëtor i drejtësisë. Në raste të tilla, lehtësime karshi bashkëpunëtorëve të drejtësisë ka gjithmonë, qofshin këto edhe mosvendosja e masës apo mosmarrja e të njëjtave tagra siç kanë të bashkëdyshuarit e tjerë, sepse në momentin që një person i jep të dhëna organit të akuzës, pa të cilat organi i akuzës nuk mund të bënte asnjë hetim të denjë apo të dilte në konkluzione përkatëse, normalisht që personi që bashkëpunon përfiton disa benefite.
Pra, ish-zëvendësdrejtori e kishte afruar Migena Shrëder pranë grupit të Elsion Jorgjit dhe Gerond Meçes që ndanin miliona. Kjo qartëson përplasjen mes grupeve për tenderat, që pasoi me strategjinë e Gerond Meçes duke sulmuar përmes ankimimit të çdo procedure. Pra, strategjia e tij ndryshoi nga favorizimi në tendera nga Daniel Shima, tek ankimimi sistematik.
“Nëqoftëse kemi të bëjmë me bashkëpunëtorë të drejtësisë, qëllimi i tyre nuk është të zhdukin më asgjë, por nëse kemi të bëjmë me persona të cilët nuk janë bashkëpunëtorë të drejtësisë dhe lihen pa masa sigurimi, qoftë individuale qoftë pasurore, patjetër që në këtë rast ata kanë të gjitha mundësitë për të transferuar pronësitë, kanë të gjitha mundësitë për të prishur provat, kanë të gjitha mundësitë t’i shmangen hetimit dhe gjykimit, madje ndonjëherë edhe të largohen nga Republika e Shqipërisë”, u shpreh Ermal Hamataj, avokat.
Strategjia me ankimime u bë edhe më e qartë kur Daniel Shima u largua nga AKSHI. Ato ishin momentet kur u nxor në sipërfaqe aleanca e tij me Gerond Meçen dhe kompaninë AESS.
Por aq të afërta ishin lidhjet mes kompanisë ABS dhe AESS, sa në listëpagesat e tyre janë zbuluar të paktën 3 persona që kanë punuar për të dyja subjektet:
Eneo Deliu (ID: J91012039M) – del te ABS në 2023–2025 dhe te AESS në 2025
Kristi Sina (ID: K00803065Q) – del te ABS në 2019–2025 dhe te AESS në 2025
Andi Canameti (ID: K10531053K) – del te ABS në 2023–2025 dhe te AESS në 2025
Aleanca qartësohet më tej nëse analizohen shkëmbimet ekonomike. Në vitin 2025, ABS e Gerond Meçes ka transferuar drejt kompanisë AESS të Migena Shrëder plot 49,7 milionë lekë, ose rreth 500 mijë euro.
Por nuk mbaron me kaq. Në kontratën “Laboratorët Smart 2”, teksa ABS qëndroi në prapaskenë, në konsorcium u përfshinë kompanitë AESS, ALBASCAN e Elision Jorgjit, Sinteza Co dhe Synapse. Në këtë periudhë konstatohen raporte financiare të AESS me kompaninë “ALU GLASS” të Sokol Parllakut, pra njeriut që qarkullonte interesat financiare të Daniel Shimës me prejardhje të errët. Përmes 3 faturave, AESS ka arkëtuar te subjekti i lidhur me Shimën rreth 22 mijë euro.
Data
Blerësi
NIPT
Shuma
04.07.2023
Alu Glass
L52303020M
793,452 lekë
18.09.2023
Alu Glass
L52303020M
320,825 lekë
21.09.2023
Alu Glass
L52303020M
1,079,642 lekë
Totali: 2,193,919 lekë
“Për vepra penale në fushën ekonomike nuk është i rëndësishëm dënimi si mjet ndëshkimi, por është e rëndësishme që të ndiqet paraja. Paraja fatmirësisht për organin procedues lë shumë gjurmë dhe nëse ndiqet paraja, sigurisht që përveç sekuestrimit do të shkohet edhe drejt konfiskimit”, u shpreh avokati Arbër Hoxha.
Sot Daniel Shima është regjistruar si person nën hetim për akuzat: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, i kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë. Por në materialin e SPAK-ut, edhe pse Shima dyshohet se i ka kryer veprat në bashkëpunim, aty mungon emri i Gerond Meçes që, siç zbuluam, ka qenë së bashku me të në prapaskenë. Tashmë i njëjti grup që luajti me skemën e ankimimeve është rikthyer nën kontrollin e tenderave pas goditjes së Ermal Beqirit dhe Ergys Agasit…
“Në momentin që kemi administratorë të panjohur ose kemi konsorciume firmash të cilat pronësinë e bëjnë të pamundur për t’u evidentuar, kjo në fakt është e tillë kaq e vështirë sa ta gjesh pasurinë fundore, saqë ndonjëherë edhe prokuroria ka vështirësi në hetimin e saj”, u shpreh Hamataj.


