Në mes të hetimit penal, Granit Xhaka refuzon të largohet nga përfaqësuesja e Zvicrës

Granit Xhaka është kthyer në qendër të vëmendjes në ditët e fundit për arsyet e gabuara. Mesfushori është nën hetim nga autoritetet në Zvicër dhe ka pranuar se ka përdorur certifikate vaksinimi por COVID19 të falsifikuar.
Ai duhej të ishte pjesë e Zvicrës për ndeshjet e Ligës së Kombeve, por është tërhequr nga ekipi me kërkesë të tij dhe në radhët e përfaqësueses ishin të lumtur që vëmendja nuk do të ishte e gjitha te kapiteni.
Pikërisht shiriti, është një temë që do të diskutohet gjatë. Sipas “Blick”, Xhaka ka bërë të qartë se nuk ka ndër mend të heqë dorë nga shiriti i kapitenit të Zvicrës si shenjë “pendese” për gabimin që ka bërë.
Burimet e gazetës zvicerane kanë mësuar se Xhaka u ka bërë të qartë zyrtarëve të Federatës se pret që të zgjidhë sa më shpejt këtë telash që ka krijuar dhe të rimarr rolin e liderit, të cilin e ka treguar më së miri duke pranuar fajin dhe marrë përgjegjësitë përkatëse për rastin në fjalë.
“Sjellja e tij tregoi se si duhet të sillet një kapiten ndaj një ngjarje të tillë. Çdo gjë tjetër do të diskutohet më vonë”, ishin edhe fjalët e presidentit të Federatës Zvicerane, Peter Knabel, i cili me sa duket mbështet Xhakën në këtë qëndrim.


