Akuzohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrjen e sekretit shtetëror, hyn në territorin shqiptar Vlora Hyseni

Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit Vlora Hyseni, ka hyrë në territorin shqiptar nga pika kufitare e Morinës, pasi ndodhej jashtë vendit në momentin kur ndaj saj u caktua masa e sigurisë “arrest në shtëpi” me urdhër të SPAK.
Hyseni ndodhej në Baku të Azerbajxhanit, ku, sipas raportimeve, kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një takim ndërkombëtar për sigurinë, ku merrnin pjesë drejtues të shërbimeve informative nga vende të ndryshme.
Mëngjesin e së martës, gjatë kontrolleve të zhvilluara në kuadër të hetimeve të SPAK, Hyseni nuk u gjet në banesën e saj, ndërsa masa e sigurisë ndaj saj nuk ishte ekzekutuar në atë moment.
SPAK ka bërë me dije se ndaj Hysenit, me vendim të GJKKO-së, është caktuar masa “arrest në shtëpi”, si dhe pezullimi nga ushtrimi i detyrës publike. Hyseni është nën hetim për veprat penale që lidhen me përkrahjen e autorit të krimit dhe nxjerrjen e sekretit shtetëror ose të shërbimit.
Masa ndaj drejtueses së SHISH është lidhur me hetimet e SPAK për dosjen “AKSHI”, ku në fokus është edhe Ergys Agasi, i cili dyshohet për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal me qëllim manipulimin e procedurave të prokurimit të AKSHI-t.
Në të njëjtin kuadër, GJKKO ka autorizuar edhe kontrolle në banesën dhe ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, si dhe në ambiente të tjera të lidhura me hetimin.


