Në prill nis linja e dronëve, në maj përfundon fabrika e uniformave, në korrik prodhimi i municioneve

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi sot se Shqipëria po hedh hapa konkretë në zhvillimin e industrisë ushtarake, me ngritjen e linjave të prodhimit për dronë, uniforma, municione dhe mjete xheniere, duke ndërtuar kapacitete reale në funksion të forcimit të sigurisë kombëtare.
Në një konferencë për shtyp, Vengu bëri të ditur se parashikimi për këtë vit është hapja e 326 vendeve të reja pune në industrinë e mbrojtjes.
Sipas tij, kanë nisur rekrutimet për sektorin e municioneve, uniformave dhe dronëve, ku nga totali i vendeve të punës, 49 janë për inxhinierë dhe 68 për teknikë të diplomuar në shkollat profesionale në vend.
Ministri theksoi se dinamika e rekrutimeve lidhet me afatet e vendosura për nisjen e punës nga katër kompanitë prodhuese, në zbatim të gjashtë kontratave të firmosura.
Ai njoftoi se në mes të prillit nis linja e asemblimit të sistemeve të dronëve në uzinën e autotraktorëve. Aktualisht po rekrutohen 12 inxhinierë dhe personel teknik, ndërsa, në bashkëpunim me kompaninë shtetërore KAYO dhe Agjencinë e Industrisë së Mbrojtjes, do të zhvillohen ture informuese në fakultete dhe institucione arsimore për të tërhequr kandidatë të rinj.
Sipas Vengut, në muajin maj përfundon ndërtimi i fabrikës së tekstileve Guna Tactical në zonën e Babrrusë, ku do të nisë prodhimi i uniformave. Porositë e para janë realizuar dhe prodhimi fillestar synon furnizimin e Policisë së Shtetit dhe njësive të veçanta të Forcave të Armatosura.
Ndërkohë, korriku është afati i parashikuar për nisjen e prodhimit të municioneve. Linja do t’i nënshtrohet procesit të certifikimit nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes, përpara se të vijojë prodhimi sipas kalibrave përkatës.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se kompania TIMAK Defence ka nënshkruar një marrëveshje me një kompani bijë të Rheinmetall, në bashkëpunim me prodhuesin MAN, për prodhimin e mjeteve të transportit të komandës mbështetëse.
Sipas Vengut, kjo marrëveshje dëshmon përfshirjen e kompanive të mëdha ndërkombëtare në zinxhirin e prodhimit, duke mundësuar produkte të certifikuara, transferta njohurish dhe teknologjie, me synimin që katër kompanitë prodhuese në vend të jenë konkurruese dhe cilësore jo vetëm për furnizimin e Forcave të Armatosura, por edhe për eksport./ORA


