Protesta e nesërme para Parlamentit – Arben Kola: Momenti i përplasjes me qeverinë, vezët janë mjet demokratik

Protestat popullore kundër qeverisë së Edi Ramës kanë hyrë në ditën e tyre të 109-të, teksa revolta ndaj aferave korruptive dhe kapjes së shtetit pritet të zhvendoset nesër në dyert e Parlamentit.
Aktivisti Arben Kola i ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë qytetarëve që kërkojnë rotacion dhe ndëshkim të korrupsionit zyrtar që të bashkohen në një aksion të fuqishëm të mosbindjes civile në orën 10:00, pikërisht në momentin kur brenda sallës është parashikuar nisja e seancës plenare.
Gjatë fjalës së tij, Kola theksoi se përballja me një pushtet të korruptuar kërkon reagim të prerë e pa kompromis në terren.
Ai u bëri thirrje protestuesve që të shfrytëzojnë çdo seancë parlamentare për të bllokuar e goditur simbolikisht deputetët e mazhorancës, duke përdorur mjetet e reagimit qytetar kundër klasës politike në pushtet.
Aktivisti Kola lëshoi një mesazh të prerë mobilizimi për përplasje me institucionet e korruptuara: “Nesër është protestë te parlamenti që në orën 10:00 ku ka seancë. Ftoj ata shqiptarë që kërkojnë mosbindjen civile që sa herë ka parlament është momenti i përplasjes me parlamentin e korruptuar dhe qeverinë e korruptuar. Vezët dhe mjetet i dimë tashmë, mjetet më demokratike në terren.”


