“Nuredini kishte bërë një listë me emra”- Henrik Hoxhaj: Çfarë dija për Suel Çelën dhe “Krymin”, vrasja e Dedjes dhe Shkozës...

Në seancën e radhës të dosjes “Plumbi i Artë” në GJKKO, ka dëshmuar përsëri sot i pandehuri Henrik Hoxhaj, rreth serisë së krimeve të kryera si ushtar i skuadrës së vrasësve me pagesë të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.
Prokurorët e SPAK dhe palët përfaqësuese në sallë e kanë pyetur të arrestuarin për njohjet e tij me personazhet e dosjes, që kanë qenë shënjestra atentatesh, që nuk jetojnë më, që akuzohen si krerë bandash apo që kanë dhënë porosi.
Ai foli për njohjen me Festim Qolin, dijeninë që kishte për vrasjen e Elvis Dedjes, kontaktet me Erion Alibejn e thirrur “Krymi”, për Suel Çelën, Sokol Sanxhaktarin, Talo Çelën dhe vrasjet e Dorian Shkozës dhe Ilirjan Ramazanit.
“Festim Qolin e njoh prej 20 vitesh. Ai nuk më ka folur ndonjëherë për Nuredinin. E kam njohur tek ditëlindja e Festimit”, tha ai për njohjen me Qolin.
Kurse për të ndjerin Elvis Dedja, ai rrëfeu se nuk ka marrë pjesë në vrasjen e tij dhe se Qoli e kishte ortak viktimën në bizesin e përbashkët:
“Festimi më ka treguar se Elvis Dedjen e ka pasur ortak. Nuk e kam kryer unë vrasjen e tij dhe nuk di kush e ka bërë. Nuk mbaj mend të kem qenë me Festimin ditën e ngjarjes. Nuk kam folur ndonjëherë me Nuredinin për këtë ngjarje”.
Për Dorian Shkozën ai tha se ishte përfshirë në vrasjen e tij.
“Jam i përfshirë tek vrasja e Dorian Shkozës. Porosia ka qenë e Krymit, (Erion Alibejt), por ndërmjetës ishte Nuredini. Shkak ishte pretendimi i Krymit se Shkoza kishte qenë tek vrasja e familjarëve të tij. Nuk kishte informatorë në atë ngjarje. Kurse Asllan Plakun nuk e njoh”, tha Hoxha.
Gjithashtu dëhsmi u dha edhe për njohjen me Alibejn, ku Hoxha mohoi që të kishte kontakte më të.
“Erion Alibejn nuk e kam takuar ndonjëherë. Për vrasjen e Emiliano Ramazanit, Nuredini na ka thënë që merrte informacion nga Erion Alibej. Për Xhuliano Hoxhën Nuredini nuk më ka folur ndonjëherë. Nuk ka qenë i përfshirë në këtë ngjarje dhe as e kam parë në ngjarje”, vijoi ai.
Hoxha iu rikthye edhe një herë porosisë për të vrarë Sokol Sanxhaktarin kundrejt pagesës 200 mijë euro, por që atentati ndaj dhëndrit të ish-kryebashkiakut të ndjerë socialist të Elbasanit, Qazim Sejdini, kishte dështuar.
“E kam dëgjuar se kush është. Nuredini më ka thënë që ka qenë dhëndri i një kryebashkiaku atëherë. Nuk kemi marrë ndonjëherë porosi për vrasjen e tij, por e kemi diskutuar. Nuredini na ka thënë se kishte diskutuar me dikë për vrasjen e tij. Nuk kam shkuar ndonjëherë në Elbasan për ta vëzhguar”, tha Hoxha.
Për atentatin ndaj Lulëzim Mashës, pronarit të një shkolle private te Liqeni në Tiranë ai rrëfeu se:
“Kam marrë pjesë në ngjarje. Ka qenë porosi e vëllezërve Dizdari. Nuk di, për një punë borxhi. Sakati (Aleksandër Baho) do na jepte informacion kur do të vinte në Shqipëri djali i Mashës, pasi për atë ishte porosia në fillim. Vrasjen (e mbetur në tentativë) të Lulëzim Mashës e kam organizuar unë. Për pagesën, unë kam marrë 10 mijë euro në fillim. Për djalin porosia ishte 150 mijë euro, për Lulzim Mashën ishte 100 mijë, se 50 donte t’i merrte vetë”.
Hoxha mohoi njohjen me të kërkuarin Suel Çela, kreun e një prej organizatave kriminale në Elbasan.
“Nuk e njoh shtetasin Suel Çela. Nuk e kam takuar ndonjëherë”, tha ai.
Ndërsa për Oltion Kilën, e thirrur “Oti”, ai tregoi:
“Nuredini kishte bërë një listë. Ky ishte në listë, që duhej bërë. Ishte ky, ishin vëllezërit Ramazani. Më vonë Nuredini tha se kishte informacion se ky kishte strehuar Talo Çelën”.


