Objektet mbrojtëse në Shqipëri, mes degradimit dhe harresës! 6 tunele të komunizmit në Patos që i kanë rezistuar kohës

Aktualitet

Objektet mbrojtëse në Shqipëri, mes degradimit dhe harresës!

Edhe pse Shqipëria trashëgoi nga sistemi diktatorial një rrjet të mirëfilltë të mbrojtjes dhe strehimit të popullsisë në raste rreziku, sot tunelet e fortifikuara nuk janë më nën kujdesin e strukturave shtetërore.

Një pjesë kanë degraduar, duke dalë jashtë funksionit përfundimisht. Edhe aty ku ende ekzistojnë, nuk ka më përkujdesje dhe po shkojnë drejt shkatërrimit, si shumë prej aseteve të Shqipërisë postkomuniste.

Në Patos Fshat janë ende 6 prej strukturave të mbrojtjes shqiptare që i kanë rezistuar kohës dhe dorës shkatërrimtare.

Të pozicionuara në anë të rrugës nacionale, pjesë e këtyre tuneleve, me gjatësi mesatare deri në 1 kilometër, është edhe një ndërtim i nëndheshëm, i planifikuar për spital.

“Këtu pran kemi dhe spitalin e nëndheshëm ushtarak që ishte planifikuar për të gjihtë vendit. Është me dhoma. Ka pusin për ujin brenda dhe shume element të tjerë”,- thotë Robert Beqiraj.

Robert Beqiraj tregon se e mirëmban vetë këtë tunel, i cili edhe sot, më shumë se 50 vite pas ndërtimit, nuk depërton lagështirë.

“Une merem vetë me fushen e ndërtimit. Ajo çfar më bën përshtypje është fakti se tuneli nuk ka lagështire dhe nuk pikon, çka tregon për cilësin me të cilen është punuar në atë kohe edhe pse njerzit nuk kishin makineri veç lopatave. Një herë kur erdhen për ti pare, më pyeten se pse i ke futur këto gjëra brenda. Ju thash krevata. Ky mund të përdoret për strehim në rast lufe. Unë kujdesem aq sa kame mundësi për të”,- thotë Beqiraj.

Gjashtë tunelet e ndërtuara në Patos Fshat deri në vitin ’92 mbanin brenda tyre mjete ushtarake të llojeve të ndryshme, bazë ushqimore për popullsinë në raste lufte dhe ishin të planifikuara edhe për strehim në raste të sulmeve ajrore.

“Në çdo qark në çdo rreth ndërtoheshin  kto objekte nëntoksore me qëllim mbrojtjen e popullsisë dhe mjeteve instruale dhe bujqësore. Kam pare më syt e mi shumë grure, misër e deri tek benzoli, pasi në atë kohë parimi ishte të sigurohesh buka në vend”,- thotë Hetem Lalaj, ish-ushtarak.

“Janë struktura qe i nevoiteshin kohës. Filluan të ndërtuan në vitet 60 deri në 1985. Do përdoreshin për mbrojtjen e popullit, edhe pse nuk u perdoren ndonjë hërë”,- thotë Neki Agaraj, banor i zonës.

Tunelet, bunkerët dhe strukturat e tjera mbrojtëse në zonat e banuara, në disa raste, u shkatërruan plotësisht me qëllim shitjen e hekurit; në një pjesë tjetër rezultojnë të mbushura me ujë e mbeturina, duke dalë përfundimisht jashtë funksionit, edhe pse për ndërtimin e tyre u derdh një pjesë e konsiderueshme e pasurisë dhe mundit të shqiptarëve./Shqiptarja

ME TE LEXUARAT