“Paketa e Maleve”/ Rama: Është keqkuptuar, nuk jep territore publike për ndërtime private, synon...

Ditën e sotme kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me përfaqësues të agroturizmit në Tiranë, ku është ndalur edhe tek “Paketa e Maleve”.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se kjo paketë nuk është e destinuar për kompanitë e mëdha apo investitorët e mëdhenj, por kryesisht për emigrantët dhe migrantët shqiptarë që disponojnë toka të trashëguara në zonat rurale dhe malore.
Sipas tij, “Paketa e Maleve” synon të zgjidhë problematikat e krijuara nga ligji 7501 dhe konfliktet e pronësisë që kanë penguar zhvillimin e këtyre zonave.
Rama sqaroi se përmes kësaj nisme, qytetarët mund të aplikojnë pranë bashkive për zhvillimin e pronave të tyre, ku projekti shqyrtohet dhe publikohet për një periudhë 45-ditore. Më pas, sipas procedurës, jepet mundësia për realizimin e investimit.
Ai theksoi se titulli i pronësisë nuk merret menjëherë, por vetëm pas përfundimit të ndërtimit, duke shtuar se kjo bëhet për të shmangur bllokimin e tokës dhe abuzimet e mundshme.
Sipas Kryeministrit, në rast konfliktesh pronësie, çështja trajtohet nga shteti, i cili ka detyrimin për kompensimin përkatës sipas ligjit.