Rama në Athinë këtë javë/ Media greke: Pjesëmarrje në Forumin e Delfit dhe mundësi takimi me Mitsotakis

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama pritet të vizitojë Greqinë këtë javë, ku do të marrë pjesë në sesionet e Forumit Ekonomik të Delfit. Paralelisht, po shqyrtohet edhe mundësia e një takimi me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.
Sipas medias greke ToVima, palët kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm gjatë orëve të fundit për të koordinuar axhendat dhe për të parë nëse do të mundësohet një takim zyrtar mes dy liderëve, i cili mësohet se është kërkuar nga pala shqiptare.
Ndërkohë, Rama pritet të mbajë një fjalim në Delphi Economic Forum të mërkurën pasdite, ku do të jenë të pranishëm edhe liderë të tjerë rajonalë dhe ndërkombëtarë.
Duke qenë se të dy kryeministrat do të marrin pjesë në këtë forum, Delfi shihet si vendi më i mundshëm për një takim, edhe pse në tryezë mbeten disa opsione. Një takim mund të zhvillohet në Athinë pas mbërritjes së Ramës, ose të enjten para largimit të tij, përpara se Mitsotakis të udhëtojë drejt Nikosias për një samit informal të BE-së.
Sipas raportimeve, aktualisht është konfirmuar vetëm një takim i shkurtër mes dy liderëve në Delfi, ndërsa po punohet për organizimin e një takimi më formal në zyrën e kryeministrit grek në Maximos Mansion.