Pasuria e jashtëzakonshme e fshatit shqiptar ku ndodhen plot 10 minerale kritike për Evropën

Paradoksalisht, ngjitur me vendburimin në Bitinckë janë të vendosura panelet diellore, të cilat janë prodhuar në vende të tjera të botës, ndërkohë që lënda e parë që përdoret për t’i ndërtuar ndodhet ngjitur me to.
Nëse do të shfrytëzohej ky vendburim, ne do të mund t’i ndërtonim panelet diellore në vendin tonë me kosto shumë më të ulët. Një paradoks i ngjashëm me historinë e naftës… Në një kohë kur Bashkimi Europian po rrit presionin për sigurimin e lëndëve të para kritike, zona si kjo mund të kthehen në pika kyçe interesi. Në këtë vendburim gjenden plot 10 minerale kritike të përcaktuara në listën e BE-së…
“Nga të gjithë mineralet kritike që ka përcaktuar BE del se në qarkun e Korçës dalin 10 lloje mineralesh kritike ose elemente kritike, siç mund të përmendim kobaltin, mineralet e tokave të rralla të rënda dhe mineralet e tokave të rralla të lehta, boksitet ku kemi përmbajtje të aluminit dhe të litiumit, por edhe për mineralin hekur-nikel po studiohet për një përmbajtje më të ulët të litiumit”, u shpreh Panajot Aliçkolli, specialist gjeolog.
Qarku i Korçës ka edhe vendburime të tjera të cilat mund të shfrytëzohen. E veçanta është se këto elementë janë minerale kritike, pra për të cilat Evropa ka nevojë dhe varet nga vendet e tjera për të prodhuar produkte të ndryshme të industrive.
“Një ndër vendburimet e tjera që po flasim për qarkun e Korçës që hyn në minerale strategjike në vendin tonë është edhe miniera e bakrit të Rehovës, e cila nga përllogaritjet shkon në 5 mln ton rezerva të bakrit Arsenikun, që është një nga mineralet edhe ky kritik, e kemi në zonën e Zëmblakut. Nuk është objekt, është shfaqje, shfaqje të mineralizuara të dala në disa vende. Megjithatë kërkohet një vlerësim i mëtejshëm i këtij lloj mineralizimi kritik duke kryer kërkime të mëtejshme gjeologjike si shpime”, u shpreh Panajot Aliçkolli, specialist gjeolog.
Gjetjet për mineralet e klasifikuara kritike nga BE konfirmohen edhe në një raport të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar. Këto përfshijnë bakrin, nikelin, kobaltin, litiumin, si dhe elementët e tokave të rralla, të cilët përdoren në teknologjitë moderne, energjinë e gjelbër dhe industrinë ushtarake… Në total, nga 34 minerale të konsideruara kritike, Shqipëria ka rezerva për 19 prej tyre…
“Mineralet kritike sipas përcaktimeve të BE janë ato minerale që kanë nevojë të lartë përdorimi dhe vështirësi furnizimi, këta janë konsideruar kritikë Këta minerale janë konsideruar të tillë sepse për nevojat e kohës, sidomos në fushat e teknologjive të avancuara miqësore me mjedisin, siç janë turbinat e erës, siç janë mjetet dixhitale aktuale, industria e mbrojtjes ka shumë kërkesë për përdorimin e tyre, që është një kërkesë e shtuar, kurse furnizimi është jashtë vendeve të BE”, u shpreh Bilal Koçi, drejtor i Burimeve Minerale.
Në shumë raste, mineralet janë identifikuar, por nuk janë studiuar në thellësi dhe nuk janë kthyer në industri funksionale. Kjo është veçanërisht e dukshme për elementët e tokave të rralla, të cilët nuk gjenden si vendburime të pastra, por si elementë shoqërues në depozita ekzistuese, si boksitet, fosforitet apo mineralizimet e hekur-nikelit.


