Policia godet një grup kriminal në Elbasan, lëndohet një efektiv gjatë operacionit

Një operacion anti-drogë është zhvilluar nga Policia e Elbasanit duke goditur një grup që trafikonte lëndë narkotike. Tre persona janë arrestuar.
Operacioni nisi pas informacioneve operative për një automjet që po transportonte drogë. Mjeti është mbajtur nën vëzhgim dhe më pas është ndjekur nga forcat e rendit. Në hyrje të Elbasanit, drejtuesi i tij ka tentuar t’i shmanget policisë por është neutralizuar.
Gjatë kontrollit të automjetit janë sekuestruar rreth 45 kilogramë kanabis sativa, një armë zjarri luftarake me municion, një shumë e konsiderueshme parash, si dhe disa telefona celularë. Gjatë operacionit, një efektiv policie ka mbetur i lënduar lehtë, pasi është dëmtuar nga thyerja e një xhami.