Zhdukja e Renato Mekollit/ Shefi i njohur i kuzhinës tregon kërcënimet që e detyruan të largohej

Showbiz

Zhdukja e Renato Mekollit/ Shefi i njohur i kuzhinës tregon

Pas pesë vitesh heshtje totale, Renato Mekolli është rikthyer. Shefi i njohur i kuzhinës ka treguar se largimi nga Shqipëria, nuk ishte zgjedhje, por një domosdoshmëri pasi jeta e tij u kërcënua nga segmentë të politikës dhe rrethana të rënda që e çuan atë drejt një periudhe të errët. Ai shprehet se përjetoi izolim, frikë dhe një betejë të brendshme që e çoi pranë pikës më të errët të jetës së tij.

Deklarata e plote:

DEKLARATË PËR MEDIAT DHE PUBLIKUN

– Renato Mekolli

Përtej Heshtjes: Një Rilindje

Kjo deklaratë vjen menjëherë pas hapjes së faqes sime zyrtare në Facebook,

U mendova gjatë për ta rihapur Facebook-un (Instagram-in në një moment tjetër) dhe për t’u bërë përsëri pjesë e rrjeteve sociale. Të jem i sinqertë, nuk ishte aspak e lehtë. Përkundrazi, ishte shumë më qetë dhe më bukur larg kësaj zhurme të madhe që krijohet çdo ditë në botën virtuale.

Sot jetojmë në një realitet ku shumë gjëra bëhen vetëm për t’u dukur, ku një pjesë e madhe e njerëzve jetojnë një jetë fallco dhe ku imazhi virtual shpesh duket më i rëndësishëm se jeta reale. Por pavarësisht kësaj, jam një figurë publike dhe puna ime e kërkon këtë komunikim. Rihapja e Facebook-ut tim solli një reagim të jashtëzakonshëm – për mirë, sigurisht. Mesazhet tuaja erdhën si një lumë pyetjesh që kërkonin përgjigje. Interesimi nga publiku, por edhe nga mediat, ishte i madh dhe i menjëhershëm.

E ndiej si detyrim ndaj njerëzve që më kanë ndjekur gjatë gjithë kohës dhe si detyrim ndaj mediave. Për këtë arsye vendosa të përgjigjem me këtë deklaratë publike, e cila përmbledh pak nga gjithçka. (Por që në fund doli goxha e gjatë.)

NUK jam ende gati për një intervistë të plotë – dhe për këtë kërkoj mirëkuptimin e mediave.

Prandaj, vendosa të jap këtë përgjigje të parë për të gjithë ju, deri në një moment të dytë, që sigurisht do të vijë në kohën e duhur.

Nuk ishte e lehtë të largohesha nga dritat dhe nga Shqipëria, por ishte e domosdoshme.

Faleminderit të gjithë atyre që nuk më harruan kurrë dhe më qëndruan pranë.

Renato i parë u dogj në hirin e sfidave të tij. Por nga ai hir lindi një tjetër — më i fortë, më i vetëdijshëm dhe më i vendosur se kurrë. Kjo është jeta ime e dytë. Forcën e gjeta aty ku nuk kishte mbetur asnjë fije drite, aty ku fryma bëhej e rëndë dhe mendja kërkonte arratisje. Në atë pikë, kur gjithçka më thoshte të heshtja dhe të dorëzohesha — unë zgjodha të jetoj.

I thashë PO jetës në çastin më delikat, kur fijet e padukshme mes zemrës dhe mendjes rrezikonin të këputeshin. Sot jetoj me zjarr në gjak, me sy që kanë parë ferrin, por kanë zgjedhur dritën. Kjo është fitorja ime: të dëgjosh zërin e shpirtit dhe t’i thuash vetes: “Ngrihu. Ti mundesh.”

Njeriu mban brenda një fuqi të shenjtë: mendjen — urtësinë hyjnore që na u dha si bekim që ditën kur kemi lindur, si armë dhe si dritë. Ai që e ndez këtë dritë, rilind. Dhe unë rilinda.

Ju falënderoj që më keni dhënë forcë dhe energji. Për ju kam vetëm një porosi: jetoni me thellësi. Bëni të mirën, e nëse nuk mundeni, të paktën mos bëni keq. Duajeni njeriun pranë jush. Njeriu nuk është për t’u shtyrë poshtë; njeriu është vlerë.

Mos gjykoni, mos godisni. Jepini dorën tjetrit — ndoshta është shansi i fundit para se ai të heqë dorë nga kjo jetë. Kur ai hap fatal të jetë bërë, lotët dhe pendesa do të jenë të vona. Le t’i japim dorën njëri-tjetrit në këtë univers ku qarkullon energjia e përbashkët.

“Pse u largova nga Shqipëria?”

Nuk u largova sepse desha. Nuk ishte kurrë dëshira ime të largohesha nga vendi im. Është një plagë që ende dhemb — trauma e çdo emigranti që trupin e ka diku tjetër, por shpirtin në Shqipëri.

Asnjë njeri nuk dëshiron të largohet nga vendi ku ka lindur.

Zemra ime mbetet aty. Në vendin tim të vogël, të bukur, të dhimbshëm. Askush nuk largohet lehtë nga rrënjët. Askush nuk ëndërron të jetë emigrant — dhe kjo është plaga e çdo emigranti.

U largova për të shpëtuar veten. Jeta ime u kërcënua nga segmente të politikës shqiptare dhe nga rrethana të tjera të rënda. Përjetova skllavërinë moderne dhe mësova çfarë do të thotë të jetosh në një demokraci që është më keq se komunizmi që kanë përjetuar prindërit apo gjyshërit tanë. M’u ndalua liria e çdo gjëje dhe, çuditërisht, çdo denoncim i imi zhdukej nga Policia jonë pa asnjë arsyetim. Jeta ime u dhunua fizikisht dhe psikologjikisht.

Luftova deri në pikën e fundit, deri në atë pikë kur mendja më shkonte në vendimin më të errët që mund të ekzistojë, në atë pikë fatale për jetën që nuk dua as t’ia përmend emrin. Por nuk mund të qëndroja më. Në fund, zgjodha jetën.

Jam i sigurt se edhe Nëna Shqipëri do të më thoshte:

“Biri im, largohu. Misionin tënd e përmbushe, bëre të pamundurën për të jetuar këtu. Por ky vend nuk i do njerëzit si ty, i do larg. Shko dhe më bëj krenare kudo që të jesh.”

Dhe këtë gjë bëra.

Duhej ta ringrija Renaton me çdo kusht. Duhej të vazhdoja misionin dhe ëndrrën time. Tani po e rishkruaj historinë time nga e para, ashtu siç duhet të ishte, jo siç donin të tjerët.

Që 6 vjeç, kuzhina ka qenë thirrja ime hyjnore. Kam lindur t’u shërbej njerëzve përmes asaj që di të bëj më mirë — përmes artit të gatimit. Ju më bëtë “Chef-in e zemrave tuaja” dhe kjo fitore nuk blihet, nuk fabrikohet, nuk imitohet, nuk manipulohet, nuk zëvendësohet. Kjo lloj fitoreje nuk blihet në treg; ajo gatuhet me vite përkushtim dhe me shumë dashuri.

Faleminderit që më lejuat të jem pjesë e juaja dhe e zemrave tuaja. Faleminderit që më lejuat të hyj në shtëpitë e çdo shqiptari në Kosovë, në Shqipëri e kudo në botë.

Dua të falënderoj me zemër me përulësi dhe mirënjohje të thellë kanalin tim që më besoj,Top Channel për besimin që më dha, duke më besuar kohën më të çmuar televizive në Prime time me Hell’s Kitchen Albania dhe MasterChef Albania.

Këto janë dy prodhime me shtrirje dhe jehonë botërore, formatet më të mëdha televizive në botë, që u shndërruan në udhëtime të jashtëzakonshme emocionesh, pasioni dhe përkushtimi profesional. Së bashku arritëm rekorde të papërsëritshme audiencash për një reality shoë gatimi dhe krijuam momente që do të mbeten gjatë në historinë e televizionit shqiptar.

Ishte një përvojë e paçmueshme, plot sfida, krenari dhe realizime të mëdha. Falënderoj nga zemra çdo person që kontribuoi në këtë rrugëtim të mrekullueshëm.

Mirënjohje e thellë për sponsorin tim besnik, ELKA, që më qëndroi pranë me respekt në çdo hap.

Dua të falënderoj edhe mediat, që më dhanë zë, që respektuan punën time dhe atë që unë jam, që më vendosën në faqe gazetash, në kopertina revistash, në intervista me shpirt dhe nuk kursyen asnjëherë shkrimet e tyre plot dashuri dhe respekt.

Dhe ajo që më preku më shumë: shumë prej tyre e dinin çfarë po përjetoja, por nuk folën. Nuk publikuan. Nuk shfrytëzuan dhimbjen time. Më dhanë qetësi dhe kohë. Dhe më lanë të flisja vetëm kur unë të isha gati. Ky është respekt i vërtetë. Dhe unë ua mbaj në zemër.

Jam nga ata njerëz që kurrë nuk kam kërkuar favore, kurrë nuk kam shfrytëzuar famën për të përfituar diçka dhe kurrë nuk kam mbajtur pranë vetes njerëz vetëm sepse kishin pushtet apo para. Gjithmonë kam dashur të luftoj vetë, t’i arrij vetë të gjitha, pa ndihmën e askujt.

Asgjë nuk më është dhuruar në jetë. Çdo hap, çdo arritje dhe çdo sukses e kam ndërtuar me punë, sakrificë dhe përpjekje personale, pa pasur pas meje një familje me para apo miqësi të ndërtuara mbi interesa dhe para të pista.

Prandaj kam forcën ta ngre zërin me krenari, sepse jeta dhe karriera ime janë ndërtuar mbi themele të forta dhe të palëkundshme. Askush nuk guxon të hedhë baltë mbi emrin tim, sepse unë kam ecur gjithmonë me dinjitet, ndershmëri dhe karakter të pastër.

The Chef – My Last Chance at Life

(Titulli nuk është final)

Në fund të vitit 2026 do të jetë gati autobiografia ime për tregun amerikan — një libër që nuk u shkrua për të kënaqur. Kjo nuk është një histori e zakonshme suksesi. Është një kronikë e ashpër, e errët dhe tronditëse.

Më vjen keq që Shqipëria nuk do të dalë me një imazh të bukur, por kjo është historia ime dhe historia shkruhet ashtu siç është jetuar: një jetë e ndërtuar mbi dhimbje, heshtje dhe një durim të dhunuar përtej limiteve njerëzore.

Nga hijet e fëmijërisë sime në vitet e fundit të komunizmit, deri tek plagët e racizmit dhe realiteti brutal i emigrimit në Greqi; nga maja e suksesit në gastronomi, media dhe televizion, deri tek sakrificat që shkatërruan trupin dhe shpirtin tim.

Nga izolimi i karantinës në Shqipëri dhe kolapsi financiar, deri tek lufta ime personale me krizat e atak panikut, ku fryma më ndërpritej; dhe beteja psikologjike që më çoi drejt psikoterapistëve dhe trajnerit të jetës (Life Coach), përballja me demonët që më mohonin të drejtën për të jetuar.

Rruga drejt majës nuk ishte e lehtë — ishte e përgjakur.

E zhvesh pa mëshirë fasadën e gastronomisë dhe iluzionin e pluhurit të artë të shoëbiz-it në Shqipëri, duke zbuluar të vërtetën pas shkëlqimit fallco,disiplinë që lë plagë, vetmi dhe frikë, një çmim pothuajse i padurueshëm për suksesin.

Ky është një rrëfim tronditës, rrëqethës, i gdhëndur me plagë, të vërteta të pamëshirshme dhe koston shkatërruese të ndjekjes së majës.

Historia ime nuk lexohet thjesht,kjo histori është një film dhe dokumentar— ajo përmbyt. Trondit dhe prek thellë. Por nga rrënojat, me plagë dhe heshtje, gjeta forcën të ngrihem sërish, të sfidoj fundin dhe të zgjedh jetën. Kundër çdo rryme, me besim dhe shpresë, i thashë vetes: “TI MUNDESH.”

Dhe sot jam këtu, në Miami, nën dritat e një prej hoteleve më luksoz të botës,me drita të vërteta dhe një shkëlqim që të verbon,në hotelin The Ritz-Carlton. Jam këtu, në vendin ku vlerësohesh për atë që je dhe ku merr atë që me të vërtetë meriton; këtu ku Chef-i trajtohet si artist, si superstar, dhe ku ëndrrat guxojnë të bëhen realitet nëse punon fort dhe me shpirt.

Ky është fundi i librit tim, por fillimi i vërtetë i jetës sime. Një mbyllje si në përralla — ashtu siç i ka hije çdo njeriu që ka prekur fundin, por ka gjetur guximin të ngrihet përsëri. Ky është versioni im i Ëndrrës Amerikane: rilindja pas stuhisë, drita pas errësirës dhe fitorja e madhe mbi dhimbjen. Unë nuk u dorëzova kurrë. Po ti?

Me respekt të thellë,ju përulem të gjithëve për dashurinë e jashtëzakonshme që më keni dhuruar ndër vite.

Mbështetja, besimi dhe vlerësimi juaj kanë qenë forca ime më e madhe dhe motivimi për të vazhduar përpara me pasion e përkushtim.

Ndjehem i bekuar.

Për të gjithë ju që u rrëzuat, u lodhët dhe për një çast humbët shpresën — mos u dorëzoni.

Edhe nga errësira më e thellë, njeriu mund të ngrihet. Besoni në veten tuaj. Besoni në jetë. Unë ia dola. Edhe ju mundeni.

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!

I juaj,Chef Renato Mekolli

Miami, Florida

11/02/2026

ME TE LEXUARAT