Protesta e opozitës, mes personave të proceduar edhe 3 italianë! Çfarë thanë në komisariat

Tre shtetas italianë janë mes gjashtë personave të proceduar penalisht pas protestës së 8 majit të organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë, ku u pati edhe përplasje me policinë. Sipas hetimeve paraprake, autoritetet kanë arritur të dokumentojnë përfshirjen e tyre në akte dhune ndaj efektivëve të policisë, megjithatë ata nuk dyshohen se kanë marrë pjesë në hedhjen e mjeteve molotov.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se shtetasit e huaj janë marrë në pyetje nga hetuesit, por kanë refuzuar të japin shpjegime lidhur me arsyet e përfshirjes së tyre në protestë dhe mënyrën se si u bënë pjesë e tubimit.
Në total, për incidentet e ndodhura gjatë protestës janë proceduar gjashtë persona, të dyshuar për ushtrim dhune ndaj policisë dhe përdorim të mjeteve molotov ndaj forcave të rendit.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.


