Rama nga Berati e Elbasani: Bashkimi i bashkive rrit investimet dhe nuk prek shërbimet për qytetarët

Aktualitet

Rama nga Berati e Elbasani: Bashkimi i bashkive rrit investimet dhe nuk prek
Bashkimi i bashkive nuk do të shoqërohet me mbyllje shërbimesh apo shndërrimin e qyteteve në njësi administrative. Këtë e theksoi kryeministri Edi Rama gjatë takimeve me qytetarë në Berat dhe Elbasan, në kuadër të konsultimit publik për reformën administrative-territoriale.

Rama tha se riorganizimi nuk do të ndryshojë shërbimet që qytetarët marrin sot në Poliçan, Dimal apo qytete të tjera, ndërsa këto zona do të kenë drejtuesit dhe përfaqësuesit e tyre në këshillat bashkiakë.

Sipas kryeministrit, ndryshimi synon të rrisë kapacitetet e bashkive dhe mundësitë për investime, duke iu referuar edhe reformës së vitit 2015.

Rama argumentoi se frikërat e shprehura atëherë për humbjen e shërbimeve dhe investimeve nuk u materializuan. Përkundrazi, sipas tij, bashkimi solli rritje të investimeve dhe përmirësim të shërbimeve në zonat që iu bashkuan bashkive.

Në Elbasan, ai sqaroi se modeli i ri nuk parashikon që bashkitë që do të bashkohen të kthehen në njësi administrative. Prrenjasi, nëse bashkohet me Librazhdin, apo Cërriku dhe Belshi, nëse bashkohen me Elbasanin, do të ruajnë statusin e qytetit.

Ky model, sipas Ramës, do të krijojë një strukturë me tre nivele: bashkinë, qytetin dhe njësitë administrative, me synim koordinimin e shërbimeve dhe rritjen e funksioneve që ushtrohen në nivel vendor.

Kryeministri tha se bashkitë aktuale kryejnë më pak funksione nga sa duhet dhe se reforma synon pikërisht forcimin e kapaciteteve të tyre administrative dhe ofrimin e më shumë shërbimeve për qytetarët.

ME TE LEXUARAT