Sali Berisha në Asamblenë e OSBE: Në dekadën e fundit, kombi im ka humbur më shumë njerëz edhe se vendet në luftë

Politikë

Sali Berisha në Asamblenë e OSBE: Në dekadën e fundit, kombi

Ish-kryeministri Sali Berisha po merr pjesë në punimet e Asamblesë së OSBE në Porto të Portugalisë, ku ka ngritur shqetësimin e largimit të shqiptarëve në dekadën e fundit. Sipas tij, nga viti 2014 deri në vitin 2024 janë larguar një milion e 99 mijë shqiptarë.

“Në këtë kontekstin demografik Shqipëria ka pasur zhvillimet më dramatike në periudhën 2014–2024. Gjatë kësaj kohe, kombi im ka humbur më shumë njerëz sesa çdo komb tjetër, madje edhe nga vendet në luftë, apo në konflikte civile rajonale ose botërore. 45% e shqiptarëve kanë lënë Shqipërinë gjatë këtyre 10 viteve.

Sipas Eurostat, 1 milion e 99 mijë shqiptarë janë larguar drejt vendeve të zones Shengen. Dhe këtu nuk përfshihen ata që kanë ikur në vende apo rajone të tjera. Nëse u referohemi disa organizatave të tjera ndërkombëtare, studimet e tyre janë jashtëzakonisht dramatike në lidhje me Shqipërinë. OKB njoftoi disa muaj më parë se Shqipëria është vendi me rënien më të madhe të lindshmërisë në botë, për shkak të emigracionit”, është shprehur Sali Berisha.

Ish-kryeministri dhe lideri demokrat është shprehur mes parlamentarëve të OSBE se shkak për lagimin e shqiptarëve dhe lindshmërinë e ulët është bërë narkodiktura.

“Kushdo që do të shohë ekonominë shqiptare, do të shohë që ajo rritet vit pas viti me 3%. Është një rritje e respektueshme. Por çfarë është kjo rritje? Është një narkorritje. Pse? Është narkorritje sepse prodhimi industrial, në 5 vitet e fundit, ka rënë vit pas viti. Po ashtu edhe prodhimi bujqësor, apo sektorë të tjerë.

Por ka një sektor që mban normën më të lartë të rritjes në Europë, që është ndërtimi. Nëse shihni Eurostat, do të gjeni që indeksi i ndërtimit në Tiranë është tre herë më i lartë se mesatarja e indeksit të ndërtimit në BE. Këto janë ndërtime të narkotrafikut. Të gjitha këto kulla janë monumente të drogës dhe korrupsionit.

Nëse shihni Euron, është Euro e narkotrafikut. Monedha europiane në Shqipëri është zhvlerësuar 35–38%. Kjo ka vrarë qindra e qindra ndërmarrje eksportuese, sepse narkoEuro hyn në vend përmes konteinerëve, përmes të gjitha mjeteve, dhe 80% e investimeve në sektorin e ndërtimit nuk vijnë nga bankat, por nga nëntoka”, është shprehur ish-kryeministri.

Sali Berisha është shprehur në Porto të Portugalisë se ky proces drejtohet personalisht nga narkodiktatori, duke ju referuar Edi Ramës, i cili ka krijuar një sindikatë me kartelet e drogës dhe u jep atyre çdo mundësi dhe liri për të pastruar paratë në vendi.

 

ME TE LEXUARAT