SHBA dhe Shqipëria forcojnë bashkëpunimin kundër sulmeve kibernetike, trajnohet Komanda shqiptare

SHBA po ndihmon Shqipërinë në forcimin e mbrojtjes ndaj sulmeve kibernetike, përmes trajnimeve të drejtpërdrejta të specialistëve të Komandës Kibernetike të Shqipërisë nga ekspertët amerikanë.
Sipas njoftimit të publikuar në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA-së bëri të ditur se javën e kaluar, në Qendrën e Inovacionit për Siguri dhe Mbrojtje, Universiteti për Bashkëpunim në Mbrojtje dhe Siguri bashkëpunoi me specialistët kibernetikë shqiptarë për të forcuar kapacitetet e mbrojtjes kibernetike të orientuara drejt misionit.
Gjithashtu sipas njoftimit, ekspertët amerikanë po asistojnë autoritetet shqiptare në ngritjen e strukturave më të qëndrueshme të mbrojtjes kibernetike përballë kërcënimeve moderne.
Bashkëpunimi është zhvilluar në kuadër të Qendrës së Inovacionit për Siguri dhe Mbrojtje, ku specialistët amerikanë dhe ata shqiptarë kanë punuar së bashku për ndërtimin e operacioneve më të qëndrueshme të sigurisë dixhitale.
Ky bashkëpunim, theksohet në njoftim, forcon partneritetin strategjik mes SHBA dhe Shqipërisë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.


