Sherri familjar në Tiranë/ Mbesa kërkon t’i marrë xhaxhait shtëpinë, përmbarimi pjesë e lojës

Emisioni “Stop” transmetoi këtë të mërkurë, më 3 qershor, rastin e qytetarit Arben Vyshka, rast ky i trajtuar nga emisioni “Stop” edhe në prill 2025.
Problematika është rikthyer sërish në vëmendje pas tentativës për ekzekutimin e një vendimi gjyqësor, që lidhet me pronësinë e katit të tretë të një ndërtese 3-katëshe.
Sipas pretendimeve të Vyshkës, ky kat i është kaluar në mënyrë të padrejtë familjarëve të tij përmes një deklarate të falsifikuar, e cila më pas është marrë në konsideratë edhe nga gjykatat e shkallëve më të ulëta.
“Ajo (mbesa) pretendon të marrë shtëpinë time, të më nxjerrë fishek. Ti më tha ti biesh babit tim policinë ndërtimore, unë do të të nxjerr fishek ty në derë tha. Dhe kështu ndodhi…”
Pas dy vitesh, vendimi i Apelit po tentohet të ekzekutohet nga Përmbarimi Shtetëror në favor të nipit të tij, Andi Vyshka.
Megjithatë, sipas qytetarit Arben Vyshkës dhe avokatit të tij, çështja ndodhet ende në shqyrtim në Gjykatën e Lartë dhe ekzistojnë vendime të kësaj gjykate, që ndikojnë drejtpërdrejt në vlefshmërinë dhe ekzekutimin e vendimit të Apelit.
Një nga problemet kryesore lidhet me aksesin në katin e tretë. Shkallët dhe oborri, që mundësojnë hyrjen në këtë kat, ndodhen në një truall me disa bashkëpronarë dhe kjo situatë nuk është pasqyruar në vendimin e Apelit.
“Unë po shkel tek trualli që jam pronar, edhe pse padrejtësisht unë nuk i kam kundërshtuar, se nuk dal kundër ligjit. U kam thënë gjeni mënyrën se nga do të hyni që ju të merrni 78 metra dhe unë jam gati të bëhen veprimit sipas ligjit. Nipi dhe mbesa me sebepin e zyrës përmbarimore duantë adoptojnë dhe tre të gjashtat e pjesës time, po hynë brenda ata unë filloj kalvarin e gjyqeve prapë. Ik këtej, ik andej, jo po ankohu këtu jo aty. Unë tani të hyj në hasmëri? Kam 20 vjet vjet që kur ka filluar ky proces kam qenë 45 vjeç, tani jam 65 vjeç. Ku do shkoj unë më? Këta nuk arritën një herë që të ndalen.”

Për këtë arsye, gjatë ditës së caktuar për ekzekutimin e vendimit, u ngritën pikëpyetje mbi mënyrën praktike dhe ligjore të realizimit të tij.
Përballë këtyre paqartësive, përmbaruesja shtetërore vendosi të pezullojë veprimet dhe të kërkojë një ekspertizë për të përcaktuar mënyrën e aksesit në pronë.
Megjithatë, edhe ky proces has vështirësi, pasi kërkon miratimin e bashkëpronarëve të truallit, një pjesë e të cilëve jetojnë jashtë vendit, ndërsa të tjerë mbështesin qëndrimin e Arben Vyshkës. /Emisioni STOP


