Shoqëria shqiptare si “bombë me sahat”, avokatja Toçi: janë shtuar rastet ku për një fjalë goje përfundon në vr*sje

Fenomeni i agresivitetit në shoqërinë shqiptare po merr përmasa alarmante, ku një përplasje e çastit degradohet me shpejtësi në dhunë fizike dhe deri në përdorim të armëve, duke ngritur pyetjen thelbësore: a po e humbasim aftësinë për të dialoguar dhe bashkëjetuar?
Normalizimi i kësaj situate po kthehet në një kërcënim serioz, duke reflektuar një mungesë të thellë të kontrollit emocional dhe duke transmetuar modele negative te brezat e rinj.
Ishte kjo tema e bisedës në studion e emisionit “Epiqendër” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Sonila Musai.
Nga këndvështrimi ligjor, avokatja Dea Toçi sqaron se veprat penale të kryera “në gjaknxehtësi e sipër” trajtohen me rrethana lehtësuese, pasi nuk konsiderohen të paramenduara.
Megjithatë, për shkak të shtimit të rasteve, sidomos atyre të dhunës në familje, drejtësia po ashpërson qëndrimin. “Burgjet janë plot me persona që kanë kryer dhunë për arsye të kota. Po t’i pyesësh pesë minuta pasi e kanë kryer aktin, të gjithë janë të penduar,” thekson Toçi.
Ky pendim i shpejtë tregon natyrën impulsive të këtyre akteve dhe konfirmon mungesën e thellë të menaxhimit të emocioneve.
PJESË NGA DISKUTIMET
Dea, si e shikon dhe në aspektin e ligjit?
Dea Toçi: Shiko, ligji, veprat penale të kryera në gjaknxehtësi e sipër, sigurisht që nuk po them që i toleron, por ka atë qasjen ndoshta pak më pozitive, i futet tek rrethanat lehtësuese, fakti që ti nuk e ke paramenduar për ta kryer një vepër të tillë.
Pra dhe po ta marrim dhe në rastin e vrasjes, ato që janë bërë në gjaknxehtësi e sipër në rrethana cilësuese, janë vrasje që dënohen më pak me vite burgim, sesa ato të zakonshmet apo ato me paramendim.
Sepse nënkuptohet që është ai impulsi i çastit, të cilin ti nuk e ke të paramenduar, nuk e ke të llogaritur, është gjaknxehtësia e momentit, për arsye të ndryshme, përfshirë këtu edhe ndoshta goditjen që mund të kesh pasur nga viktima në këtë rast, sepse qoftë, qoftë fizike, qoftë edhe verbale.
Pra, nënkuptohet që ti ke ndërmarrë një hap të tillë, ke bërë një vepër të tillë penale, sepse viktima ka bërë diçka karshi teje. Nisur këtu nga ngacmimet të cilat bëhen verbale, qoftë edhe pastaj në përplasjen fizike.
Sigurisht që ligji këto i, thashë, i sheh pak më me sy, ndoshta jo aq të rëndë sa vrasjet me paramendim, por duke qenë që janë shtuar shumë, raste të ndryshme, kemi dëgjuar edhe para pak ditëve vrasje të tillë që ka ndodhur në Tiranë.
Edhe qasja e ligjit ndaj situatave të tilla, ndoshta po merr pak më shumë përforcim dhe pak më shumë seriozitet se ç'ka qenë më parë.
Përfshirë këtu, e them saktësisht, jo se vrasjet nuk janë dënuar më parë, por dhuna në familje, e cila nis edhe pikërisht për këtë impulsivitetin e karakterit të personave të tillë, është ajo që ndoshta deri pak vite më parë ka pasur dënimin ndoshta dhe më të ulët, apo ka mjaftuar tërheqja e denoncimit nga viktima dhe është pushuar si çështje.
Ndërsa sot, gjykatat tona e vazhdojnë çështjen kryesisht, e ndjekin dhe merr dënimin autori. Edhe dhuna në familje vjen sepse është ndër veprat më të shpeshta, janë plot burgjet me persona që kanë kryer dhunë në familje, qoftë ndaj motrës, vëllait, për arsye të kota. Qoftë ndaj bashkëshortëve pastaj që janë shumë më të shumta. Dhe po t'i pyesësh, ndoshta pesë minuta pasi e kanë kryer këtë akt, të gjithë janë të penduar.
Pra është pikërisht kjo vepër e cila vjen nga ajo gjaknxehtësia që u përmend, nga agresiviteti i momentit që duket sikur do zgjidhim gjithçka me forcën që nuk e di a e kemi të lindur apo ndoshta kështu edhe shoqëria na e ka kultivuar që kryesisht burrat, nuk është se s'ka gra, po burrat janë më të shumtë në këtë rast, duhet ta mbrojnë me forcë nderin edhe gjithçka që duket sikur u goditet, në fakt nuk u preket aspak./ORA


