Shpërthim me lëndë plasëse në një shtëpi në Elbasan

Mëngjesin e sotëm, një shpërthim me lëndë plasëse ka tronditur një lagje në Elbasan, duke shkaktuar panik por fatmirësisht pa lëndime në njerëz.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:45, kur persona ende të paidentifikuar kanë hedhur eksploziv në oborrin e banesës së shtetasit me iniciale K. Ç.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, shtëpia ishte aktualisht e pabanuar, çka ka bërë që nga ky shpërthim të ketë vetëm dëme materiale në strukturën e jashtme dhe rrethimin e objektit.
Menjëherë pas njoftimit, forcat e policisë kanë rrethuar zonën dhe grupi hetimor ka nisur punën në terren nën drejtimin e Prokurorisë.
Hetuesit po mbledhin prova dhe po këqyrin kamerat e sigurisë në zonat përreth për të zbuluar autorët e këtij sulmi dhe për të sqaruar motivet që fshihen pas ngjarjes.
Deri më tani nuk ka asnjë person të ndaluar, por policia po punon intensivisht për të zbardhur rrethanat e plota të rastit.


