BE heq sanksionet ndaj Kosovës, çfarë deklaroi përfaqësuesi i lartë

Bashkimi Evropian i ka hequr të gjitha masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023. Lajmi është bërë i ditur nga përfaqësuesi i Komisionit Evropian.
“Mund të konfirmoj se Komisioni Evropian e ka liruar të gjithë ndihmën financiare që më parë ishte nën masa dhe gjithashtu po planifikojmë të riangazhohemi plotësisht me homologët tanë në Kosovë në mënyrë që ta rikthejmë Kosovën në rrugën e duhur në agjendën e saj të BE-së”, tha Jiri Plecity, përfaqësues i KE-së
Gjatë diskutimit në Parlamentin Evropian është shprehur keqardhje për vitin e humbur në Kosovë për shkak të ngërçit politik me të cilin u përball vendi gjatë gjithë vitit 2025.
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, tha se paraliza politike në të cilin ishte Kosova kishte pasoja edhe në procesin reformues.
“Është për të ardhur keq që pasiguria dhe ngërçi politik kanë ngadalësuar ndjeshëm reformat e nevojshme që Bashkimi Evropian pret nga aplikantët, të cilat janë gjithashtu qartësisht jetike për vetë vendin. Ka qartësisht fusha në të cilat Kosova ka bërë regres të ndjeshëm gjatë vitit të kaluar”, tha raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras.
Ndërkaq, unioni ka përshëndetur edhe zbatimin e Ligjit për të huajt.
Sipas përfaqësuesve evropianë, kjo marrëveshje është edhe një dëshmi se dialogu sjell rezultate.Më 14 mars, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se do të ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe do t’i njohë letërnjoftimet e pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente të Kosovës. Hyrja në fuqi e vendimit nuk do t’i prekë serbët e Kosovës për periudhë 12-mujore.