Nis pelegrinazhi në Kishën e Laçit, mijëra qytetarë i drejtohen vendit të shenjtë, qytetari lutet: O zot, ndale luftën!

Ka nisur këtë të martë, më 17 mars, pelegrinazhi në Kishën e Laçit, udhëtimi shpirtëror i “Trembëdhjetë të martave të Shna Ndout”, një traditë e njohur e besimtarëve katolikë që i përgatit ata për festën e Shën Antonit të Padovës më 13 qershor.
Pelegrinazhi ka nisur me një fluks të madh, pasi sot me mijëra qytetarë i janë drejtuar Kishës së Shna Ndout.
Ky pelegrinazh praktikohet në shenjë pendese, në emër të sakrificës dhe në formë lutjeje a falenderimi që i dërgohet shenjtit. E lutjet këtë radhë duket se janë përqendruar në luftimet që po ndodhin aktualisht në botë.
“Besim tek zoti dhe tek Kisha e Laçit. Me u lut për këto kalamaj që i kemi nëpër botë dhe oh Zot të pushojë lufta në tërë botën!”, tha njëri nga qytetarët që kishte ardhur nga Durrësi. Ai vazhdoi: “Jam lut për familjen time, jam lutur për shqetësimet e shtëpisë, vuajtjet… dhe për tërë njerëzimin.”
Pelegrinazhi i shenjtë fillon në mes të muajit mars, që është e marta e parë e pelegrinazhit në shenjtoren e Shna Ndout dhe përfundon në 13 qershor që është dhe festa. Për 13-të të marta, besimtarë të shumtë nga të gjitha fetë, ndezin qirinj në guvat e shkëmbinjve dhe sfidojnë fatin duke besuar në mrekullitë e Shna Ndout.


