Shtrenjtohen pushimet në Shqipëri, hotelet e bujtinat rrisin çmimet për shkak të luftës në Lindjen e Mesme

Aktualitet

Shtrenjtohen pushimet në Shqipëri, hotelet e bujtinat rrisin

Pushimet këtë vit në Shqipëri pritet të jenë më të shtrenjta. Shkak është bërë situata në Lindjen e Mesme, duke bërë që shërbimet në akomodimin e pushuesve të rriten ndjeshëm në krahasim me një vit më parë.

“Do të ketë rritje të çmimeve për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, e cila solli edhe rritjen e karburanteve, që është kryesore për sa i përket zinxhirit ekonomik në Shqipëri. Kjo rritje është domosdoshmëri, pasi janë rritur produktet dhe gjithçka tjetër. Rritja pritet të jetë rreth 10-15%”, tha Kujtim Dervishi, kryetar i Shoqatës së Hoteleve dhe Bujtinave

Të dhënat e INSTAT regojnë se numri i turistëve është rritur në 3 muajt e parë të vitit.

“Këtë vit e shikoj me optimizëm, sepse edhe shifrat janë në rritje të turistëve për shkak të situatës së ngarkuar në Lindjen e Mesme dhe kjo është në favorin tonë. Janë prishur shumë kontrata me Turqinë dhe vendet e rajonit atje, ndaj Shqipëria pritet të jetë e favorizuar këtë sezon turistik.”

Këtë vit, me përparësi nga pushuesit po shihen edhe bujtinat, edhe për faktin që çmimet konsiderohen më konkuruese.

“Bujtinat kanë marrë goxha përparësi dhe janë mjaft të kërkuara, gjë që lidhet edhe me faktin se kanë një çmim më të ulët se hotelet. Bregdeti pritet të mbetet i shtrenjtë dhe bashkitë janë vënë në lëvizje për vendosjen e çmimeve tavan për shezlongët dhe parkimet, gjë që është një nisje e mirë.”

Deri më tani numërohen rreth 835 mijë netqëndrime në Shqipëri gjatë periudhës janar-mars të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, duke u rritur me 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

ME TE LEXUARAT