“Smart City”, Rama: “Syri magjik” identifikon shkelësin në kohë reale! S’do ketë më nevojë për të filmuar policin që...

Nis zbatimi i projektit për instalimin e një sistemi sigurie, përmes kamerave inteligjente. Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në aktivitetin “Smart city Albania”
Rama tha se ky projekt do ta rendisë Shqipërinë në nivelin më të lartë të teknologjisë edhe në këtë drejtim, duke sjellë standarde të larta monitorimi të rrugëve të qyteteve, shkollave dhe mjediseve të tjera publike.
“Nuk është projekt kamerash apo mbikëqyrjeje me kamera apo e trupave të policisë përmes leximit të kameras kur del nevoja. Ky është projekt që në sekondën kur fillon edhe vihet në jetë rrit në mënyrë eksponenciale kapacitetin policor në kohë reale. Projekt që i jep policisë një sy magjik për të parë në kohë reale të gjithë territorin e interesit. Projekt që ndihmon në mënyrë të paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë për të pasur një kryeinspektor të territorit që i ka sytë gjithëandej. Kur flitet për identifikimin në kohë reale të shkelësit, jo identifikim që vjen si rezultat i syve të policisë që ndjek ekranin, por identifikim nga ky sy magjik që e sheh, identifikon, regjistron, shënon dhe e sjell para syve të punonjësit të policisë.
Nëse syri i policisë po sheh trafikun e Kavajës, po në atë ekran i shfaqet shkelësi në Myslym Shyri, apo në një rrugë të Kamzës, Durrësit, Beratit etj. Pra, syri i gjithë këtij sistemi është sy që shikon gjithandej në të njëjtën kohë dhe që mbledh të gjithë informacionin e nevojshëm për të sinjalizuar problemin. Në këtë mënyrë nuk ka nevojë të presim nga postblloqet e policisë të zbulojnë makinat e paregjistruara, nga drejtoria e transportit rrugor të mbledhë taksat e papaguara të drejtuesve. Të gjitha këto informacione vijnë në kohë reale dhe policia ndërhyn për të zbatuar ligjin bazuar në këto informacione. Nuk ka nevojë që dikush të filmojë me kamera një punonjës policie që nuk përmbush standardet e komunikimit të një nxënësi të klasës së parë se në kohë reale kamera e një trupi të një polici që debaton me një qytetar sjell debatin në sallë operative. E pamundur që kamerat të fiken e nxizen sipas dëshirës. Se një kamera e fikur sinjalizohet menjëherë në qendër.”, tha Rama.


