SPAK mbyll hetimin dhe çon për gjykim ish-agjenten e BKH dhe Astrit Vladin në çështjen e “Toyota Yaris”

SPAK mbyll hetimin e çon për gjykim ish oficeren e BKH dhe Astrit Vladin
SPAK ka cuar për gjykim një ish agjente të BKH dhe një person tjetër për ushtrim ndikimi të paligjshëm dhe korrupsion, ndërsa të dy ndodhen në kërkim. Për të njëjtën dosje janë dënuar më herët Aurel Zarka dhe avokati Radovan Çela me nga 2 vite e 8 muaj burg.
Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj Astrit Vladit dhe ish-oficeres së Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët akuzohen për ushtrim ndikimi të paligjshëm dhe korrupsion aktiv e pasiv ndaj funksionarëve të drejtësisë. Të dy prej më shumë se një viti ndodhen në kërkim.
Në këtë dosje u përfshi edhe ish-kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka, i cili u dënua në shkallë të parë me 2 vite e 8 muaj burg. Si pjesë e grupit, gjykata dënoi edhe avokatin Radovan Çela me 2 vite e 8 muaj burg.
Sipas SPAK, të dyshuarit kanë ndërhyrë, kanë marrë dhe kanë dhënë ryshfet në 8 çështje penale, 4 prej të cilave lidhen me dosjen “Toyota Yaris”.
Ndërhyrja në drejtësi sipas hetimit të SPAK ka nisur që nga koha kur çështja ishte në Prokurorinë e Krimeve të Rënda e ka vijuar deri në Gjykatën e Tiranës, përfshirë edhe hetimet pasurore ndaj personave të akuzuar.
Nga hetimi i drejtuar nga prokurori i SPAK, Klodian Braho, janë zbardhur komunikime në platformat SKY ECC dhe EncroChat, ku rezulton se prokurori Aurel Zarka ka përdorur 4 kode komunikimi dhe ka komunikuar me Daupaj përmes llogarive në këto platforma.
Mes çështjeve ku dyshohet se ka ndikuar është edhe hetimi pasuror ndaj Suel Çelës, i nisur nga operacioni “Forca e Ligjit”./ORA


