Dr*gë nga Shqipëria drejt Barit/ Kapet banda në Itali, 20 masa sigurie, zbardhet skema

Bota

Dr*gë nga Shqipëria drejt Barit/ Kapet banda në Itali, 20 masa

Një organizatë kriminale me origjinë shqiptare, e përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, është çmontuar nga autoritetet italiane në përfundim të një operacioni të gjerë antidrogë të koduar “Rondò”.

Sipas mediave italiane, operacioni u zhvillua në disa zona të Italisë qendrore dhe jugore, duke çuar në 20 persona nën masë sigurie, mes të cilëve 7 të arrestuar, ndërsa të tjerët hetohen në gjendje të lirë me masa më të buta.

Baza në Montesilvano, furnizimi nga Shqipëria

Sipas raportimeve, hetimet, që zgjatën mbi një vit, zbuluan një rrjet të strukturuar të trafikimit të kokainës dhe heroinës. Baza operative e grupit ishte vendosur në zonën e Montesilvano, ndërsa droga trafikohej nga Shqipëria drejt Barit dhe më pas shpërndahej në rajonin e Abrucos.

Sasitë e drogës hynin në rajon përmes dy kanaleve kryesore: kokaina vinte nga Italia veriore, ndërsa heroina sigurohej nga zona e Foggia. Nga aty, përmes korrierëve, ajo transportohej nga San Severo drejt Abrucos.

Dy drejtues shqiptarë në krye të rrjetit

Në qendër të hetimeve janë dy shtetas shqiptarë, të konsideruar si figurat kryesore të organizatës. Sipas rindërtimit të hetuesve, ata vepronin në mënyrë të pavarur: njëri merrej kryesisht me trafikun e kokainës, ndërsa tjetri me heroinën.

Njëri prej tyre kishte ngritur edhe aktivitete tregtare në zonën e Montesilvanos, të cilat dyshohet se përdoreshin si mbulim për aktivitetin kriminal. Gruaja e njërit prej të dyshuarve, me origjinë nga zona e Foggias, kishte kontakte të drejtpërdrejta me furnizuesit e heroinës.

Një tjetër shtetas shqiptar, i konsideruar person i besuar i dy drejtuesve, ishte përgjegjës për transportin dhe dorëzimin e blloqeve të drogës tek trafikantë të tjerë të mëdhenj që operonin në zonën e Pescara.

Dr*gë nga Shqipëria drejt Barit/ Kapet banda në Itali, 20 masa

Sekuestrime dhe komunikim me kriptofonë

Gjatë operacionit u sekuestruan rreth 30 kilogramë heroinë dhe kokainë, si dhe afro 100 mijë euro para në dorë. Autoritetet gjetën gjithashtu presa metalike të përdorura për përgatitjen e blloqeve të drogës.

Komunikimet mes anëtarëve të grupit kryheshin përmes kriptofonëve me enkriptim të avancuar, me qëllim shmangien e përgjimeve dhe gjurmimit. Megjithatë, hetuesit arritën të depërtonin në sistemin e tyre të komunikimit, duke dokumentuar aktivitetin kriminal dhe duke kryer arrestime në flagrancë gjatë hetimeve.

Droga u shpërndahej klientëve të besuar, përfshirë familje të vendosura në lagjen Rancitelli në Pescara, të cilat menaxhonin pika të rëndësishme të shpërndarjes në tregun lokal. Sipas përgjimeve, çmimet përcaktoheshin në bazë të përqindjes së përbërësit aktiv dhe kërkesës në treg.

Në një nga bisedat e përgjuara, një prej klientëve vendoste çmimin e heroinës në jo më shumë se 7 euro për gram, duke argumentuar se konsumatorët në zonë kishin mundësi të kufizuara financiare.

Autoritetet italiane theksojnë se operacioni përfaqëson një goditje të rëndësishme ndaj rrjeteve të trafikut të drogës në rajonin e Abrucos, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar përgjegjësi të tjera të mundshme në këtë skemë të strukturuar kriminale./ORA

ME TE LEXUARAT