SPAK urdhëroi arrestimin, shefja e SHISH, Vlora Hyseni jashtë vendit!

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me urdhër-arrestin e lëshuar nga Prokuroria e Posaçme për drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Raportohet se Hyseni akuzohet për veprat penale “përkrahje e autorit të krimit” dhe “nxjerrje e sekretit shtetëror”. Akuzat e saj kanë lidhje me hetimin e nisur për dosjen e AKSHI-t.
Ndërkohë, mësohet gjithashtu se urdhër-arresti ende nuk është ekzekutuar, pasi Vlora Hyseni ndodhet jashtë vendit. Ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa ajo është pezulluar nga detyra.
Kujtojmë se në të njëjtin aksion, është kontrolluar edhe banesa e Ilir Prodës, ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Për momentin nuk janë bërë publike të gjitha detajet mbi provat që janë sekuestruar gjatë kontrollit apo nëse ndaj Prodës është caktuar një masë sigurie.
Zhvillimi i sotëm merr një tjetër rëndësi për shkak të emrit të Ergys Agasit, një prej personave kryesorë të dosjes “AKSHI”. Dyshohet se Spak ka zgjeruar hetimet pas sekuestrimit të materialeve që gjendeshin në celularin e tij, dhe ka gjetur lidhje mes personave të sipërpërmendur.
Agasi u arrestua më 26 gusht 2026, pas disa muajsh në kërkim, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuza të lidhura me hetimin e SPAK për procedurat e prokurimeve dhe veprimtarinë e disa kompanive që kanë përfituar kontrata publike.
Më 21 shtator, vetëm një ditë përpara aksionit të ri, Apeli i GJKKO-së shqyrtoi kërkesën e Agasit për ndryshimin e masës së sigurisë.


