Flet Gratteri, kryeprokurori italian i antimafias: Kullat në Tiranë s’kanë shpjegim

Aktualitet

Flet Gratteri, kryeprokurori italian i antimafias: Kullat në Tiranë

Një një intervistë ekskluzive për emisionin “Piranjat” në Syri Televizion, kryeprokurori Italian i antimafias Nicola Gratteri, rrëfen përmasat e frikshme që ka marrë krimi shqiptar në Itali, Europë dhe në Amerikën e Jugut. 

Gratteri paralajmëron të tregohet kujdes pasi shqiptarët mund të jenë shumë shpejt dominues në kontinent, dhe shembulli për këtë thotë se është anomalia e ndërtimeve në Shqipëri, kulla shumëkatëshe që sipas tij ngrihen pa asnjë shpjegim në një vend që e konsideron të korruptuar.

Me mbi 40 vite karrierë, të kaluar sikurse thotë nën masa ekstreme sigurie pasi disa herë është planifikuar të vritet, Gratteri propozon edhe një zgjidhje për Shqipërinë që të frenojë influencat e mafias në pushtetin ekonomik dhe politik të vendit.

Gratteri: “Mos e nënvlerësoni fuqinë e mafias shqiptare, do ketë një mafia shqiptare në Europë, po krijojnë një anomali në Shqipëri, gjithë ato kulla që rriten si kërpudhat dhe që nuk kanë asnjë shpjegim tregojnë se kush është ajo”.

Ai tregon lidhjet e forta të shqiptarëve me organizatat më të fuqishme të botës, sidomos “Ndraghetën”, teksa evidenton nivelin e lartë të korrupsionit në Shqipëri.

Gratteri: “Mafia shqiptare nis nga një vend mjaftueshëm i korruptuar, ku mendoj se ka riciklim shumë të fortë, bëhet shumë riciklim, sepse është një vend ku nuk ka shumë mundësira, të shohësh gjithë këto pallate, këto kulla që rriten si kërpudhat. Pra është tashmë një tregues që jemi duke folur për një anomali të tregut.

Nuk jemi në Monte Carlo, nuk jemi në Londër, nuk jemi në Montreal, nuk jemi në Neë York. Jemi në Shqipëri. Një vend në jug që niset nga një ekonomi kryesisht bujqësi dhe blegtori. Në një farë mënyre shihet se në Tiranë këto kulla, nga një rregull i thjeshtë tregu, nuk kanë asnjë kuptim.

Mafia që do rritet më shumë, do të jetë mafia shqiptare në Europë. Tani e shohim mjaft të konsoliduar në Evropën Veriore, veçanërisht në Hollandë dhe në Belgjikë.

“Mafia shqiptare” prej disa vitesh kemi filluar ta shohim në ortakëri, në marrëdhënie me “Ndranghetan”, Sidomos në Amerikën e Jugut. Po vërtetohet se “Ndrangheta” mbeten financuesit, organizatorët. Pastaj, për sa i përket logjistikës, domethënë të bërit që kokaina të mbërrijë në veri të Europës, po bëhet ekskluzivitet i mafies shqiptare.

Është një mafia që i ngjan Ndranghetas. I ngjan për nga brutaliteti, në strukturë, për nga lidhja e gjakut. Kështu që unë them se është një mafia mbi të cilën duhet investuar, mbi të cilën duhet t’i kushtoni shumë vëmendje, mos të nënvlerësohet absolutisht. Sepse kur strukturat janë të qëndrueshme, janë të vështira, kanë zbatimin me fanatizëm të rregullave, janë të strukturuara.

Janë mafie të frikshme. Pra, ne po shkojmë përtej prodhimit të marihuanës në Shqipëri dhe sjelljes së saj përmes asaj që mbetet të Sacra Corona Unita, Nëpërmjet Kanalit të Otrantos, nëpërmjet Brindisit. Por e ardhmja do të jetë transporti i kokainës në Evropë, në Evropën Veriore në veçanti. Si dhe mos e nënvlerësoni këtë rrënjosjen e mafies shqiptare në pjesën e poshtme të Lacios.

Por çfarë duhet të bëjnë hetuesit dhe gjykatësit shqiptarë për të goditur këtë fuqizim të mafias vendase me aktivitet ndërkombëtar

Gratteri: Bëni ligje proporcionale me realitetin kriminal. Filloni të kopjoni sistemin antimafia italian. Pastaj gjyqësori duhet të përpiqet të punojë si ekip sepse nëse unë jam kështu jam xheloz për këtë copë të vogël nuk shkojmë askund.

Mafia është e strukturuar, mafia është globale, ndaj edhe ne duhet të ngrejmë një strukturë. Kështu që në Shqipëri duhet t’ia nisin nga sistemi gjyqësor Italian antimafia. Pastaj të jeni edhe më të rreptë, sepse problemi i korrupsionit që është në Itali është madje më shumë në Shqipëri.

Nicola Gratteri thotë se kalojnë muaj të tërë pa takuar fëmijët e tij teksa nuk ia njeh hyrjen stadiumeve apo kinemave.

Gratteri: Jo, nuk kam hyrë kurrë në një stadium, nuk kam qenë kurrë në kinema. Që nga fillimi i viteve 90 nuk e bëj më këtë jetë, nuk shkoj asgjëkundi. Unë rri këtu në zyrë, Ha këtu në zyrë. Në darkë kthehem në shtëpi dhe të nesërmen në mëngjes kthehem prapë këtu. Ja për shembull, këtu në Napoli është një qytet ku ka shumë teatro, shumë ngjarje kulturore. Por unë nuk shkoj asgjëkundi.

Nuk kam hyrë kurrë në asnjë teatër këtu në Napoli apo të shoh ndonjë film apo të dal në lungomaren e Napolit për të ngrënë një picë. Kam arrestuar disa mijëra, që kur bëj këtë punë nga ‘87. Unë vij nga ato zona dhe ndranghetistët janë me breza, ka një përqëndrim të ndranghetistëve, ndaj më ka ndodhur të arrestoj edhe shokët e mij të shkollës apo të lojrave.

Teksa rrëfen edhe një sërë çështjes përfshirë referendumin e disa muajve më parë ku

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, pësoi një humbje të rëndë për reformën në drejtësi, Gratteri nuk kursen kritikat për qeverisjen e saj ku thotë se u këshillua me persona pa njohuri ligjore. Ai ceku edhe temën e kampeve të refugjatëve në Shqipëri ku theksoi se me aq sa e njeh çështjen për koston që pati mendon se ishte e panevojshme.

ME TE LEXUARAT