Lamallari zbulon shtyllat e strategjisë kombëtare kundër krimit të organizuar: Do të forcojmë mbrojtjen e qytetarëve

Politikë

Lamallari zbulon shtyllat e strategjisë kombëtare kundër krimit

Lufta kundër krimit të organizuar do të mbështetet në një qasje të re që synon më shumë parandalim, inteligjencë dhe hetime financiare. Kështu u shpreh ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, gjatë takimit konsultues për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin dhe Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2026-2030.

Në një reagim në rrjetet sociale lidhur me strategjinë në fjalë, Lamallari tha se dokumenti që po hartohet do të shërbejë si udhërrëfyes për politikat e shtetit në këtë fushë gjatë pesë viteve të ardhshme, me fokus forcimin e sigurisë, mbrojtjen e qytetarëve dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës.

Sipas tij, strategjia e re synon të krijojë mekanizma më të fortë për përballimin e fenomeneve kriminale, duke mbështetur njëkohësisht edhe procesin e integrimit evropian të vendit. Ai theksoi se lufta kundër krimit të organizuar nuk mund të fitohet pa bashkëpunim të gjerë institucional dhe koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

“Përmes një qasjeje moderne, të bazuar në parandalim, inteligjencë, hetime financiare dhe bashkëpunim kombëtar e ndërkombëtar, po ndërtojmë një mekanizëm më të fortë për mbrojtjen e qytetarëve, forcimin e shtetit të së drejtës dhe avancimin e procesit të integrimit evropian. Vetëm përmes dialogut dhe bashkëpunimit mund të hartojmë politika më efektive dhe më pranë nevojave të vendit.”, u shpreh Lamallari.

Ministri nënvizoi se qasja e re do të bazohet te parandalimi i hershëm, shkëmbimi i informacionit, inteligjenca policore, hetimet financiare dhe bashkëpunimi kombëtar e ndërkombëtar në luftën kundër rrjeteve kriminale.

Lamallari falënderoi institucionet, ekspertët, partnerët ndërkombëtarë, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe median për kontributin dhe sugjerimet e dhëna gjatë procesit konsultues, duke vlerësuar rolin e tyre në ndërtimin e një strategjie sa më efektive për vitet 2026-2030.

ME TE LEXUARAT