Vrasja e çiftit Mujeci në Lezhë, gjendet makina e autorëve, u mor me qira në Rinas! Pas vrasjes, e fshehën në një banesë

Policia e Lezhës ka zbuluar prova të reja në lidhje me atentatin e dyfishtë në Balldren, ku u vranë bashkëshortët Kreshnik dhe Gentjana Mujeci.
Gjatë kontrolleve në fshatin Torovicë, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan automjetin tip “Volkswagen Polo”, pa targa, i dyshuar si mjeti i përdorur nga autorët për të qëlluar ndaj çiftit. Brenda makinës u gjetën dy gëzhoja, ndërsa mjeti kishte dëmtime në xhama.
Në të njëjtin ambient u sekuestruan edhe veshjet që dyshohet se janë përdorur nga autorët gjatë krimit, si dhe një automjet tjetër identik me targa të rregullta.
Nga hetimet paraprake rezulton se makina ishte marrë me qira në Rinas, më pas i ishin hequr targat dhe ishte përdorur për atentatin. Pas ngjarjes, autorët e kishin fshehur në oborrin e një banese duke e mbuluar me bar.
Policia shpalli në kërkim 22-vjeçarin B. K., i dyshuar për përfshirje në vrasje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa procedoi penalisht edhe babanë e tij, 79 vjeç.
Hetimet dhe kërkimet për kapjen e autorëve të tjerë vijojnë intensivisht.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të veprimeve intensive hetimore dhe operacionale, që janë kryer dhe vijojnë të kryhen nga grupi i posaçëm hetimor, për sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 26.04.2026, në fshatin Balldren, Lezhë, ku u vranë me armë zjarri, shtetasit K. M. dhe G. M., bashkëshortë, mesditën e sotme, në fshatin Torovicë, në banesën e shtetasit B. K., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar automjetin tip “Volksëagen Polo”, pa targa, të përdorur nga autorët.
Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit, grupi hetimor gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, 2 gëzhoja model 56, dhe nga këqyrja, rezultoi se automjeti ka të thyer xhamin e pasmë dhe trekëndëshat anësorë të dyerve.
Gjithashtu, në oborrin e banesës së shtetasit B. K., u gjet një automjet identik me automjetin e parë, në pronësi të shtetasit B. K., por me targa.
Më tej, gjatë kontrollit, u gjetën dhe veshjet e përdorura nga autorët, në momentin e kryerjes së krimit.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi F. M. ka marrë automjetin tip “Volksëagen Polo” (të cilin motra e tij e kishte marrë me qira, në Rinas), i ka hequr targat dhe në bashkëpunim me njërin nga 2 shtetasit e shpallur në kërkim, e kanë përdorur për t’i prerë rrugën dhe për të qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit K. M. dhe G. M.. Pas krimit, e ka çuar automjetin, në banesën e shtetasit B. K., dhe e ka fshehur duke e mbuluar me bar, me qëllim humbjen e gjurmëve, gjithashtu me pretendimin se automjetin e tij, shtetasi B. K. e kishte identik dhe të rregullt.
Në vijim të veprimeve, u shpall në kërkim shtetasi B. K., 22 vjeç, banues në fshatin Torovicë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, për babanë e 22-vjeçarit, shtetasin N. K., 79 vjeç, banues në fshatin Torovicë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë vijojnë kërkimet në terren, për lokalizmin dhe kapjen e autorëve, si dhe të shtetasit të shpallur në kërkim mesditën e sotme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.


